PSD vendos flamurin e UÇK-së në oborrin e Presidencës

PSD vendos flamurin e UÇK-së në oborrin e Presidencës

Partia Socialdemokrate që udhëhiqet nga Dardan Molliqaj, ka vendosur të martën flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në oborrin e Presidencës, përcjell Insajderi.

Ky aksion i PSD-së vjen pas akuzave që kanë shkuar në drejtim të presidentes Vjosa Osmani, pasi që kjo e fundit në një postim ku fliste për Kosharen nuk e përmendi UÇK-në.

Në oborr të Presidencës janë të vendosur flamuri i Republikës së Kosovës, i Bashkimit Evropian dhe ai i Dardanisë.

Ditë më parë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas kritikave se nuk po e përmend UÇK-në nëpër fjalimet e deklaratat e saj, duke thënë se po bëhet luftë speciale mbi të pavërteta.

Ajo ka publikuar një video ku përmblidhen momentet që ajo ka përmendur UÇK-në në paraqitjet publike, teksa ka thënë se “lufta e UÇK-së nderohet më së shumti kur punohet mirë e drejtë”./Insajderi.com