PSD vendos mbishkrime “KM” dhe stikersa në veturat zyrtare

PSD vendos mbishkrime “KM” dhe stikersa në veturat zyrtare

Aktivistët e Partisë Socialdemokrate kanë vendosur sot stikersa dhe në veturat zyrtare kanë shkruar “KM” që nënkupton “Kosovska Mitrovica”, përcjell Insajderi.com.

Ky reagim ka ardhur pas nënshkrimit të marrëveshjes për targat mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ku parashihet që targat me mbishkrimin “KM” të futen në Kosovë me një ngjitës, sikurse edhe targat tjera të Serbisë.

Aktivistët e PSD-së

Kjo ka ardhur pas nënshkrimit të marrëveshjes për targat mes Kosovës dhe Serbisë më Bruksel.

Ndryhse, Mesditën e së enjtes, Lajçak tha se mes Kosovës dhe Serbisë është arritur një marrëveshje për targat e veturave.

Mbishkrimi i vendosur në veturat zyrtare

Në një postim në Twitter, Lajçak theksoi se pas dy ditësh negociata, është arritur marrëveshja për deeskalimin e situatës, teksa ka falënderuar dy kryenegociatorët për gatishmërinë e treguar.

Sipas marrëveshjes së arritur sot me ndërmjetësimin e BE-së, forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës që janë vendosur në Jarinjë dhe Bërnjak për më shumë se 10 ditë, do të largohen, por njëhkohësisht do të largohen edhe bllokadat e vendosura në rrugë.

Kjo tërheqje do të ndodhë të shtunën, më 2 tetor në orën 08:00 dhe do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.

KFOR-i do të vendoset në këto dy pika kufitare para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.

Çfarë ndodhi në Veri të Kosovës?

Gjithçka nisi në mëngjesin e së hënës, kur Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak për të siguruar se po zbatohet masa e reciprocitetit me Serbinë për targat.

Serbët e veriut nuk u pajtuan me këtë aksion që për qëllim kishte vendosjen e rendit. Një numër i madh i tyre dolën në rrugë, ku pos protestave – bllokuan rrugët me dhjetëra kamionë.

Njësia Speciale në veriun e Kosovës

Nuk vonoi shumë dhe po atë ditë filloi seanca e Kuvendit të Kosovës. Aty me targa në dorë doli kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Targat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”, tha ai para deputetëve.

Njësia Speciale në Veriun e Kosovës

Por, ai gjeti kundërshtim nga opozita, të cilët thanë se “po bën shoë”, duke aluduar te zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor. Kurtin për këtë masë e kundërshtoi edhe një pjesëtar i kabinetit të tij. Goran Rakiq – kryetar i Listës Serbe, kërkoi nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të reagonte.

Njeriu nga i cili Rakiq kërkon reagim, Aleksandër Vuçiq, sipas raportimeve të mediave serbe, thirri menjëherë mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare. Ai paralajmëroi masa ekonomike e politike ndaj Kosovës.

Në po atë natë, derisa protestat vazhduan – ato filluan të bëhen edhe më tensionuese. Përveç tendave të vendosura nga banorët serbë të asaj zone, me çka treguan se nuk e kanë ndërmend të ndalen, të njëjtit ngritën edhe një baner të madh me mbishkrimin “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”.

Petkoviq pas marrëveshjes për targa: Sot fillon epoka e përmbushjes së marrëveshjeve të Brukselit

Gjatë asaj kohe, edhe Serbia nuk qëndroi duarkryq. Mediat serbe publikuan disa pamje ku shiheshin dhjetëra autoblinda që u nisën për në kufi.

Derisa gjithçka po ndodhte në vazhdimësi, aleatët ndërkombëtarë bënin thirrje vazhdimisht për ulje të menjëhershme të tensioneve. Thirrjet ishin pothuajse të njëjta sikurse nga Bashkimi Evropian, edhe nga SHBA-të e vendet e QUINT-it, të cilët kërkuan nga palët që të ulen në tavolinën e bisedimeve.

Madje, ambasadorët e këtyre të fundit i priti në takim kryeministri Kurti, pas së cilit bëri të ditur se vendimi i marrë të hënën do të qëndrojë derisa pala serbe të veprojë sikurse Kosova deri tani, ose që të dyja vendet të vazhdojnë me këtë masë.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc kanë kërkuar të përjashtohen nga reciprociteti me targa, por si përgjigje nga kryeministria e Kosovës gjetën “kompenzimin që do t’u bëhet shumë shpejt bashkëkombasve që do të dëmtohen nga ky vendim”.

Baneri “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe” në Jarinje

Ditët kalonin dhe situata çdo herë vinte e bëhej edhe më e paqartë se çfarë do të ndodhë në vijim. Ushtria serbe nisi provokimet e saj edhe nga ajri.

Për dy ditë me radhë janë parë disa helikopterë serbë duke vëzhguar situatën brenda kufirit të Kosovës, me ç’rast bënë që të reagojë edhe KFOR, i cili shpeshtoi patrullimet deri në momentin kur edhe u arrit marrëveshja për të vëzhguar terrenin që kishte në dorë Njësia Speciale e Policisë së Kosovës për dy javë rresht./Insajderi.com