PSD zhvillon aksion kundër orës policore, nuk pengohen nga Policia

PSD zhvillon aksion kundër orës policore, nuk pengohen nga Policia

Partia Socialdemokrate, ka thyer orën policore duke zhvilluar aksion pas orës 22:00.

Përkundër kësaj, Policia e Kosovës nuk e pengoi këtë aktivitet.

Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, tha se ai policë që i ndëshkon është “shërbëtor i pushtetit”, pasi gjatë fushatës zgjedhore partitë politike nuk kanë respektuar masat anti-COVID dhe për tubimet e tyre “është përkujdesur policia”.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga ora 10 e natës të ketë ndalesë të lëvizjes. Propozues i këtij vendimi ishte ministri Shëndetësisë, Arben Vitia që PSD e paraqiit në grafite si “Dr hipokriti”.

Por, një qasje të tillë të Qeverisë Kurti,  Dardan Molliqaj e konsideroi si “paradigmë e disiplinës” që krijon “narracion për një sistem autoritar”.

“Qeveria e sheh popullin si turma e mendon se turma duhet të kontrollet”, pohoi ai.

Megjithatë, Molliqaj tha se respektojnë masat anti-COVID, por jo edhe orën policore që sipas tij është “sabllon”.

Madje, kryetari PSD-së theksoi se Qeverisë Kurti nuk i intereson jeta e qytetarëve.

“Po t’i interesonte jeta e qytetarëve do të kishin vendosur masa para që Vjosa Osmanit të zgjedhet presidente”.

Policia e Kosovës nuk ndërhyri në këtë aksion përkundër që është e ndaluar  të lëvizet pas orës 22:00.  /Insajderi.com