Shkruan: Dafina Demaku
Unë nuk bëj tallje as me personin më të ulët, më të voglin, fëmijët, tha ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi në seancën e jashtëzakonshme për arsimin. Padashje ndoshta, Bytyqi u tall me fëmijët, kur iu referua si ‘persona të ulët’.
Fëmijët përnjëmend shtatin e kanë të ulët (natyrshmërisht, gjenetikisht, historikisht që kur Ustahi nalt vendos t’u jap shpirt) ama n’kuptim, ‘persona të ulët’ janë personat që u referohesh me tallje ose që përbuzës e përulës. Pastaj ministri i arsimit, tregoi se qysh ka hequr dorë nga punët tjera që ka pasur para se të bëhej ministër.
E kjo, përnjëmend është për t’u admiruar. Është bërë goxha e zorshme që si një trup, një person, të mbash 4-5 puna (më pak ose më shumë). Nëse ministri i arsimit do të ishte ligjërues në fakultet, a do t’i jepte urdhëra vetes si koleg, a do ta çonte mirë me veten, si koleg?* Mirë që e ka shkarkuar veten nga njëra punë…Përnjëmend.
Një deputete tjetër që ishte veshur me ngjyrë të verdhë, të ndezët fort, e LDK-së, duke dashur të denoncojë çrregullimin e sistemit arsimor në Kosovë, veç tjerash tha se ‘nuk mbet njeri këtu pa kryer fakultet’. Njeriu që kryen çfarëdo fakulteti me meritë, e di se kur bëhesh politikan/deputet, në Kuvendin e Kosovës duhet të ketë një farë etike të veshjes e nëse nuk është e shkruar ta aplikosh vetë, të pashkruar. Na qorroi e lumja deputete…
Ismajl Kurteshi që pandeh veten si një ekspert arsimi, që njëmend duket se e njeh deri diku këtë fushë (fushë? Sa keq t’i thuash arsimit ‘fushë’) goxha mirë, të bjen në vesh kur flet zhargonin e Anamoravës, kur fjalët ‘mundësi’, ‘vështirësi’ etjerë, i shtrembëron në ‘mundësijes, vështirësijes’. ‘Për shkak të mundësijes’ – në vend se ta thotë: ‘Për shkak të mundësisë’.
Një deputete tjetër, kritikoi kolegët e saj pse po i përmendet ministrit të arsimit testi PISA ama goja i rrëshqiti dhe tha: testi PIZA. ‘Të bëhemi real dhe t’i shohim dështimet e të gjitha qeverive e jo veç të këtij ministri’, tha e lumja deputete.
Kuvendi i Kosovës aktualisht është n’pushim disaminutësh. Por një gjë nuk e di: pse deputetët e shohin të arsyeshme që me çdo kusht të bëhen qesharakë – të paktën një herë në javë?
*Nonda Bulka në njërin prej shkrimeve të tij, diku në vitet e 30’ta, denonconte politikanët shqiptarë që atëkohë mbanin shumë poste dhe pyese: athua e çojnë mirë me veten, në çdo punë që janë.