Pse nuk votuan sot katër deputetët e LDK-së kundër Thaçit?

Pse nuk votuan sot katër deputetët e LDK-së kundër Thaçit?

Për rezolutën kundër Thaçit opozita kishte bërë shumë zhurmë madje ka thirrur edhe seancë të jashtëzakonshme. E për këtë nismë kishte kërkuar edhe mbështetjen e partive në pushtet. Megjithatë në ditën kur kjo rezolutë u hodh për votim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ishin pikërisht disa deputetë të LDK-së dhe Vetëvendosjes të cilët nuk dhanë mbështetjen për këtë rezolutë, duke ia lënë kështu Thaçit mundësinë e hapur që në Bruksel të bisedojë edhe për kufijtë e territorin e Republikës së Kosovës.

Në transkriptat e lëshuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në të cilin pasqyrohen votat e deputetëve për rezolutën e propozuar nga opozita që ia ndalon Thaçit të dialogojë në Bruksel për territorin e Republikës së Kosovës, figurojnë edhe katër emrat e deputetëve të LDK-së të cilët nuk kanë dhënë mbështetjen e tyre për këtë nismë.

Deputeti Naser Rugova thotë se kishte qenë i pranishëm në sallë, megjithatë ai tregon se shkaku i një termini që kishte pasur në Ambasadën e Hungarisë ishte detyruar të dalë rreth 15 minuta para se të ndodhte votimi.

“Skam marrë fare pjesë në votim se kam pas termin në ambasadë hungareze për vizë sepse kam udhëtim jashtë vendit. E kam pas të caktuar domethënë. I kam njoftuar edhe kolegët e grupit. Unë kam qenë deri 15 minuta para votimit, sepse kam vazhduar me taksi për në ambasadë. S’kam qenë fare i pranishëm në votim” ka thënë Rugova për Gazetën Express.

Edhe deputeti tjetër i kësaj partie, Anton Quni, ka treguar se për arsye personale nuk kishte marrë fare pjesë ne votim.

“Unë s’kam qenë fare i pranishëm në votim”, ka thënë Quni.

Ndërsa deputeti tjetër, Korab Sejdiu, ka thënë se ka pasur probleme me kartelën, dhe se për këtë çështje e ka kontaktuar edhe sekretarin e Kuvendit.

Ai tha që pret që ky problem të rregullohet, dhe vota e tij ‘për’ të paraqitet në transkriptat e Kuvendit.

“Mua nuk me ka punuar automati i votimit, por e kanë shti më vonë si votë pro rezolutës. Ka qenë votim kështu me dorë. Vota ime nuk është dashtë me figurua as kundër as pro. Se nuk me ka punuar automati. Unë i kam dërguar shkresë sekretarit edhe formalisht që me e shikua. Kam pas problem me kartelë kështu që do të evidentohet më vonë në transkript”, ka thënë Sejdiu.

Për këtë çështje Gazeta Express ka provuar të kontaktojë edhe me deputetin tjetër të LDK-së, Naser Osmanin, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, për Express ka thënë se edhe disa deputetët të opozitës nuk kanë qenë në sallë pasi kanë udhëtuar jashtë vendit.

Në listat e Kuvendit, figuron edhe emri i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, e cila nuk ka dhënë përkrahjen për këtë rezolutë.

Nisma e opozitës kundër Thaçit gjithsejtë kishte marrë 50 vota pro, pamjaftueshëm për të kaluar. Pas këtij votimi, deputetët e LDK-së dhe VV-së në shenjë pakënaqësie kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës