Telekomi merr vendim për kontratën me Z-Mobile

Telekomi merr vendim për kontratën me Z-Mobile

Punëtorët e Postës dhe Telekomit të Kosovës kanë mbajtur sot një protestë kundër vazhdimit të kontratës me operatorin Z-Mobile.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve Lamih Balaj është takuar me kryeshefin Bedri Istrefi ku ka njoftuar se është marrë vendim që kontrata me Z-Mobile të shkëputet më  30 korrik.

Këtë e ka konfirmuar edhe vet Istrefi ndërsa sindikalistët në protestë kanë kërkuar nga Qeveria që ta përkrahin vendimin e PTK-së për shkëputje të kontratës.

Istrefi tha para tyre se kjo kompani do të njoftohet sot për shkëputjen e kontratës më 30 korrik të këtij viti.

“Ne jemi në takim ende duke diskutuar edhe aspektin financiar që kemi kontaktuar një kompani ndërkombëtare të bëjë një analizë financiare, ku si raport preliminar ka dalur pozitiv sa i përket aspektit të Telekomit të Kosovës. Në të njëjtën kohë kemi pranuar edhe një njoftim zyrtar nga ekspertiza e jashtme ligjore, ku në të njëjtën kohë na jep të drejtën neve si Telekom të njoftojmë që sot gjatë ditës e njoftojmë edhe operatorin që deri më tani ka qenë partner me neve, në këtë rast Z-Mobile që shkëputja e MSA-së vazhdon që nga data 30 korrik. Sot ju shkon njoftimi”, ka deklaruar Istrefi.

“Kërkojmë nga kryeministri t’ia kthej dividentën Telekomit por një gjë duhet ta kenë të qartë se punëtorët e telekomit janë të vendosur në rast se tentohet të lidhet kontratë e re me Z-Mobile një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Zotohemi sot këtu që do të ndalim shkatërrimin e telekomit të Kosovës”, tha Balaj.

Ndërkaq, Nexhat Llumnica në emër të sindikatës së Re të KEK-ut tha se kontrata me Z-Mobile është  e dëmshme.

Ai ka kërkuar që punëtorët të mos jenë pasiv ndaj këtij shkatërrimi të madh që po tentohet të ndodhë.