Zyrtari i Ministrisë së Financave, Labinot Gruda, i cili është arrestuar si i dyshuar për vjedhjen e mbi dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit, ka thënë se ndihet i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë nga organi i akuzës, transmeton Insajderi.
Kështu është shprehur Gruda para gjyqtarit të enjten në seancën dëgjimore të mbajtur për të.
“Pajtohem në tërësi me të thënat e avokatit mbrojtës. Nuk pajtohem me kërkesën e prokurores së shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, sepse e ndiej veten plotësisht të pafajshëm. Pretendimet për shumën prej 2 milionë euro, nuk kanë të bëjnë aspak me mua”, ka thënë Gruda.
Sipas tij, është e pamundur që një transaksion të kryhet brenda tetë minutave siç u raportua.
“Unë çdo herë i kam përmbushur detyrimet e mia sipas përshkrimit të vendit të punës dhe asnjëherë nuk i kam tejkaluar ato. Nëse më kishte pyetur në mënyrë reale se si kishte mundur të vije deri tek ky transaksion, e që këtu në kërkesë është se: ”nga ora 12:11 min, deri në ora 12:19 min”, është kryer ky transaksion, apo këto transaksione, unë ju them se është diçka e pamundur”, ka shtuar ai.
I dyshuari për vjedhjen e mbi dy milionëve tha po ashtu se për t’u bërë një transaksion duhet kalojë nëpër duart e pesë zyrtarëve.
“Nëse e marrim mënyrën reale të ekzekutimit të një transaksioni, duhet të kaloj nëpër duart të së paku 5 zyrtarëve, t`i marrë të gjitha nënshkrimet apo aprovimet e duhura, gjë që nuk mund të arrihet të kryhet një transaksion i tillë, në afatin kohor prej 8 min. Edhe një herë deklaroj se unë e ndiej veten plotësisht të pafajshëm lidhur me këtë çështje”, përfundoi Gruda.
Gazeta Online Objektiv ka siguruar edhe dokumentet e deklaratës së Grudës para Gjykatës më 22 tetor.
Të enjten Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji kundër tij, si i dyshuar për vjedhjen e mbi milionë eurove nga Thesari i Shtetit. /Insajderi.com