Publikohet politika zyrtare e Serbisë ndaj Kosovës, opozita nuk pajtohet

Qytetarët e Serbisë më në fund e morën përgjigjen e qartë se cila është politika e Beogradit ndaj Kosovës, shkruan media serbe N1. Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq thotë se kjo ka të bëjë me kufizimin etnik. Mirëpo, opozita bën pyetje se si mund të jetë një politikë zyrtare kur për atë nuk është diskutuar publikisht dhe për të cilën as nuk është njoftuar Kuvendi e le më të diskutohet në të.

Publikohet politika zyrtare e Serbisë ndaj Kosovës, opozita nuk pajtohet

Cili është pozicioni zyrtar i Serbisë në negociata me Kosovën – përfaqësuesit e pushtetit në këtë pyetje janë përgjigjur me theks se duhet gjetur kompromis, pa treguar detajet. Tani shefi i diplomacisë së Serbisë po angazhohet për kufizim etnik, por nuk thekson se për këtë është biseduar në Bruksel.

“Ne nuk mund të flasim për atë kur ky dialog momentalisht nuk po zhvillohet”, thotë Daçiq.

Pra, pozicioni zyrtar i Serbisë është kufizim etnik, ju shkoni atje dhe thoni: hajde të shohim se ku do të jetë kufiri?

Daçiq: Ashtu është.

A është kështu?

Daçiq: Kjo vijë kurrë nuk është vizatuar e as që është vërtetuar. Pra ne flasim për atë se në cilën mënyrë t’i zgjidhim marrëdhëniet tona. Kjo është oferta jonë zyrtare.

Mirëpo, Lidhja për Serbi thotë se kufizimi është vetëm “fleta e fikut” për njohjen e Kosovës dhe bën pyetje se si mund të jetë kjo politikë shtetërore.

“Si mund të jetë politikë zyrtare diçka për të cilën nuk është diskutuar dhe për të cilën Kuvendi i Serbisë as që është informuar e le më që ka vendosur. Si mund të jetë politikë shtetërore diçka për të cilën vetëm një njeri, edhe nëse ai është presidenti i vendit, ka biseduar në mënyrë sekrete nëpër takime private me Hashim Thaçin, dhe për këto biseda askënd nuk e ka njoftuar, por madje ka demantuar se ka marrë pjesë në këto biseda”, ka kumtuar LpS./Insajderi.com.