Vendimi i konfirmimit të aktakuzave për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin është bërë publik në faqen e Dhoma të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, njofton Insajderi.
Vendimi për publikimin e konfirmimit të aktakuzave ka ardhur nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Speciales.
Në aktakuzën e konfirmuar prokurori special akuzon ish-themeluesit e UÇK-së, për “përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave, të gjitha këto krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.
Krimet e supozuara thuhet se janë bërë “midis prillit 1998 dhe gushtit 1999 në Kosovë e Shqipëri Veriore”.
Ato pohohet se u bënë “kundër popullatës civile”.
“Këto krime kishin në shënjestër kundërshtarë të cilët perceptoheshin se kishin bashkëpunuar apo kishin lidhje me zyrtarë apo institucionet ish-jugosllave”, pati deklaruar prokurori në seancat e para kundër grupit të UÇK-së.
Prokurori pati shtuar se “krimet u kryen kundër personave që nuk merrni pjesë në konfliktin e armatosur”.
Sipas prokurorit të rastit “ekziston dyshim i bazuar mirë se këta persona kanë kryer këto krime si anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët”.
Të katër ish-liderët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikët a aktakuzës./Insajderi.com