Publikohet video ku pretendohet se Bulliqi ka sulmuar një shërbyes civil

Publikohet video ku pretendohet se Bulliqi ka sulmuar një shërbyes civil

Të martën një qytetar ishte ankuar në Policinë e Kosovës që është “sulmuar” nga një person i cili dyshohet të jetë kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Gazeta Express ka publikuar një video ku shihet personi “sulmues” që raportohet të jetë Bulliqi dhe “viktima” i cili është shërbyes civil.

Një gjë të tillë më 9 shkurt e ka mohuar Bulliqi, përcjell Insajderi.

“Gjatë vizitës sime në QKMF, unë kam qenë i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Driton Veliu, drejtori i QKMF-së, Ymer Llugaliu dhe mjekë e infermierë të tjerë, të cilët mund ta dëshmojnë lehtë se aty nuk ka ndodhur asgjë dhe të gjitha pretendimet e këtij zyrtari janë trillime dhe inskenime të ulëta”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndaj pretendimeve që i pari në Podujevë është përfshirë në sulm fizik ka reaguar edhe opozita e këtij qyteti – e cila ka dënuar incidentin.

Shpejtim Bulliqi kishte arritur t’i fitojë zgjedhjet lokale në Besianë më 29 nëntor, pa balotazh – pas 20 viteve pushtet të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Llap. /Insajderi.com