
Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve, Laura Pula, ka deklaruara se në të gjitha rastet kur ka informata se në qendrat e votimit ka keqpërdorime dhe se kjo nuk është raportuar nga stafi i emëruar i KQZ-së, do të ndërmerren masa ligjore.
Pula duke folur për Planin Standard të Veprimit lidhur me procesin e zgjedhjeve, ka bërë të ditur se vëmendje do t’i kushtohet edhe deklaratave publike në formë të informatave të pavërteta apo të pakonfirmuara.
“Nga e kaluara kanë pasur raste të deklaratave të tilla të cilat kanë mundur të jepen për interesa të caktuara, por kanë ndikuar negativisht në opinion lidhur me procesin zgjedhor”.
“Të gjithë ata persona të cilët dalin me deklarata publike të pavërteta, do të jenë subjekt i procedurave hetimore, nga se deklarimi i rremë është vepër penale”, tha Pula.
Prokurorja Pula, këto deklarata i bëri në tryezën e organizuar nga Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D) në partneritet me Demokracia në Veprim (DNV), me titull: “Drejtësi zgjedhore në zgjedhjet e 11 qershorit”, e cila sot është mbajtur në Mitrovicë.
Ajo foli edhe për veprimet që do të ndërmerren në rast të shkeljeve tjera të mundshme gjatë procesit zgjedhor siç janë: keqpërdorimi i varësisë ekonomike të votuesit, fotografimi i votës, cenimi i fshehtësisë së votës etj.