Puna që vret

Puna që vret

“Lëndohet në vendin e punës” dhe “Vdes nga lëndimet në vendin e punës”, duhet të jenë disa nga titujt e shpeshtë në mediat e Kosovës. Po aq të shpeshta, janë pamjet e punëtorëve të ndërtimtarisë, kur në ndërtesa të larta shihen pa mjete mbrojtëse.

Nuk është në pyetje megjithatë mungesa e ligjit, por mungesa e zbatimit të tij.

Fajin për këtë gjendje nga Sindikata e Sektorit Privat ia hedhin Inspektoratit të Punës.

Kreu i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, tha se puna që bëjnë inspektorët është e barabartë me zero.

“Në Kosovë jo që nuk respektohet, por kam një bindje që shumica e punëtorëve nuk e dinë që ekziston ligji për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Mospuna që bëjnë inspektorët, që është akteri kryesor për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit, është e barabartë me zero”, theksoi Azemi.

Ai madje akuzoi inspektorët se po korruptohen nga kompanitë të cilat shkelin ligjin e punës, duke rrezikuar kështu shëndetin e punëtorëve.

“Ka shumë raste kur punëtorët ankohen te ne për kushtet e punës. Obligimi ynë është që ta thërrasim pronarin e kompanisë, por shpesh herë këta të fundit thonë që po e respektojnë ligjin e punës dhe ne jemi të obliguar që ta thërrasim Inspektoratin. Por, faji qëndron më shumë te këta të fundit, pasi lirisht mund të them që ka inspektor i cili për një kafe është i gatshëm ta rrezikojë jetën e punëtorëve”, theksoi Azemi.

Për këtë gjendje, ai tha se vërejtje i kanë tërhequr edhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Kemi edhe dokument zyrtar që u kemi tërhequr vërejtjen edhe Ministrisë së Punës, por deri tash nuk kanë ndërmarrë asgjë”.

Kritika kryesindikalisti pati edhe për sistemin e drejtësisë. Sipas tij, ka pasur raste kur inspektorët janë larguar nga puna për shkak se janë zënë me ryshfet, por të njëjtit janë dënuar me vetëm pesë muaj burgim.

“Një inspektor është zënë me 10 mijë euro në xhep dhe i njëjti për shkak të turpit nuk është kthyer në vendin e punës, por gjykata e ka dënuar me vetëm pesë muaj e 20 ditë burgim. Kjo është bërë në mënyrë që të mos i merret e drejta për t’u kthyer në punë”, potencoi ai.

Sipas tij, deri në vitin 2017 sektori i ndërtimtarisë ka qenë më i rrezikuari, por tani ka shënuar rënie.

Por, jo të gjitha kompanitë “shpëtojnë” pa u gjobitur.

Gjatë vitit 2020, gjithsej 115 gjoba janë shqiptuar nga Inspektorati i Punës, 45 prej të cilave janë të paguara, ndërsa të tjerat në procedurë.

Kështu bëri të ditur në një përgjigje për Insajderi-n, Agim Millaku – zv.Kryeinspektor për Siguri në Punë.

Ai njoftoi se gjoba më e lartë është 21 mijë euro, e cila i është shqiptuar Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

“Gjoba më e lartë e paguar në vitin 2020 është 26 mijë e 800 euro. Shuma e përgjithshme e gjobave të paguara është 315 mijë e 314 euro dhe shuma e gjobave në procedurë është 298 mijë e 500 euro”, thuhet në përgjigjen e Millakut.

Vetëm gjatë 2020-tës gjithsej 16 punëtorë kanë vdekur në vendin e punës.

Kështu ka bërë të ditur për T7 zëvendëskryeinspektori për Siguri në Punë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Agim Millaku.

28 prilli është Dita Botërore e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë./Insajderi.com