Sindikata e Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës, do të protestojë sërish sot para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke kërkuar miratimin e ligjit për Lotarinë e Kosovës, transmeton Insajderi.
Kjo sindikatë paralajmëron se do të vazhdohet me protesta gjatë ditëve të punës deri në përmbushjen e kërkesës së punëtorëve të Lotarisë së Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës i ka premtuar Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës se do të gjejë një zgjidhje për punëtorët tanë mirëpo një premtim i tillë ende nuk është përmbushur. Punëtorët tanë momentalisht gjenden në një situatë të mjerueshme përderisa u bë një vit që s’kanë pranuar pagë, e sidomos në përballjen me luftimin e Pandemisë Covid-19 që edhe më tepër e ka rënduar gjendjen e tyre”, thuhet në njoftim.
Sindikata e Lotarisë së Kosovës ka bërë thirrje publike për Qeverinë e Kosovës që të përmbushë premtimin dhe obligimin që e ka ndaj punëtorëve të Lotarisë së Kosovës. /Insajderi.com