Punëtorët e Postës kanë mbajtur një protestë para Qeverisë. Me parullat “Qeveri, posta duhet të shpërndajë dërgesat”, “Respekto ligjet tua”, “Duam shërbime që i ka secila postë shtetërore”, ata kërkuan nga Qeveria rimbursimin e pagesave postare.
Etrit Hoti, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Postës ka thënë se ata ende nuk i kanë marrë pagat e gushtit, duke e cilësuar këtë si papërgjegjshmëri të institucioneve.
Ai ka thënë se qeveria duhet t’i përmbushë detyrimet ligjore dhe se posta duhet ta krijojë skemat pensionale dhe shërbimin PostBank.
Kryetari i BSPK-së, Avni Hajdini ka thënë se kjo protestë iu është imponuar nga qeveria. Hajdini ka theksuar se sot po apelojnë te qeveria që t’ua japë pagat dhe t’i realizojë kërkesat e punëtorëve.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se kjo sindikatë e përkrahë protestën dhe e ka lutur qeverinë që t’ua përmbushë kërkesat punëtorëve përpara se këto protesta të bëhen masovike.
Pas protestës, përfaqësues të punëtorëve janë ftuar brenda ndërtesës së qeverisë për një takim me kryeministrin Ramush Haradinaj.