Punëtorët e Postës dhe Telekomit të Kosovës kanë protestuar sot para objekteve të Telekomit, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës zhbllokimin e xhirollogarive të kësaj ndërmarrje.
Ata i kanë dhënë ultimatum ekzekutivit deri më datën 9 të këtij muaji, që të marrë parasysh kërkesat e tyre, në të kundërtën paralajmëruan greva e protesta 24 orësh para objektit të Qeverisë.
Lamih Balaj, kryetar i Federatës Sindikale të Pavarur të Postes dhe Telekomit të Kosovës, tha se kërkesë të vetme e kanë zhbllokimin e xhirollogarive dhe që të njëjtat mos të bllokohen më.
Ai paralajmëroi kaos social, nëse nuk ndërmerret diçka në këtë drejtim.
“Kryeprokurori zotëri Lumezi, të cilit po ua bëj me dije sot, prej kryeprokurorit, kryeministrit dhe të gjithë akterëve, se kaosin social e keni në derë. Kur them kaosin social, u them që mirëqenia sociale e punëtorëve është ajo që është më rëndësishmja. Sot, rreth 3300 punëtorë të Posta dhe Telekomit të Kosovës janë pa paga… sot jemi në një gjendje kaotike ku grupet kriminale të interesit bashkë me njerëzit brenda ndërmarrjeve publike ose brenda Telekomit, ose me njerëzit jashtë Telekomit të përkrahur edhe nga qarqet politike e kanë sjellë në këtë gjendje Telekomin”, tha ai.
Ai tha se i japin ultimatum ministrit të Ekonomisë, Blerim Kuçi, deri ditën e hënë dhe nëse deri atëherë Telekomit nuk i zhbllokohen xhirollogaritë, atëherë do të ketë protesta më të mëdha.
“Nëse deri të hënën në orën 16:00 nuk do të ketë lëvizja nga Qeveria e Kosovës atëherë të martën te gjithë do të jemi para qeverisë së Kosovës por nëse Qeveria nuk e merr për bazë kërkesën tonë mos harroni qe kjo protestë ka me u shpërnda edhe aty ku do të ju dhem më së shumti edhe klaneve të interesit edhe mafiozëve por edhe një pjesë të njerëzve qe kanë qenë e janë në pushtet qe po e mbrojnë klanin mafioz”, tha ai. /Insajderi.com