Sikurse shitja e ndërmarrjeve shoqërore të ishte e njëvlerëshme me shitjen e specave, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, sikurse në pazar, e lëshoi kështu britmën nga tezga e vet: “Urime! Ju tashmë keni bërë hapin e parë për të blerë ndërmarrjen shoqërore, meqë vizituat faqen e internetit të AKM-së”. Paradoksalisht, kjo ka qenë fjalë për fjalë thirrja e këtij institucioni në faqen onllajn që e kishin hapur atëbotë. As pasuesja e saj, Agjencia Kosovare e Privatizimit, nuk ishte më kreative në këtë drejtim. Hapat e privatizimit të aseteve publike e shoqërore, pavarësisht emërtimit zyrtarë, ishin të errëta, sikurse është sot fati i punëtorëve në Kosovë. Privatizimi i shitur në tezgë nuk ka arritur të përmirësojë kushtet e punëtorëve, por edhe ka lënë shumë të tjerë të papunë. Rrëfimet e punëtorëve poshtë, janë shëmbëlltyra e një procesi idologjik, që po vazhdon edhe sot.
D.G. është elektricist në njërën prej kompanive më të mëdha të çimentos në Ballkan. Kompaninë ku punon ai, përgjatë viteve 2000 – 2010 iu kishte nënshtruar një eksperimenti ekonomik të quajtur komercializim. Ky proces besohej të ishte diçka më pak se privatizimi, dhe ishte inicuar nga UNMIK-u para se ndërmarrjet të privatizoheshin. Më 2010, kjo ndërmarrje u privatizua dhe kishte mbi 500 punëtorë. Para disa viteve, D.G. ishte shtruar në spital, meqë në vendin e punës e kishte lënduar seriozisht boshtin kurrizor. Ai kishte përfunduar duke mbajtur i vetëm me duar makinën disa tonëshe, kur litarët bartës u këputën. Pas një viti ai u kthye në punë. Tash e tre vite e pret thirrjen e administratës për t’ia miratuar kërkesën. Shpreson që t’ia ndërrojnë pozitën e punës. Përndryshe duhet të vazhdojë të injektohet çdo javë në mënyrë që të neutralizojë dhimbjet. Kjo lëvizje del të jetë vështirë e realizueshme, meqë Sharrcemi për momentin ka 285 punëtorë. E kjo do të thotë se hendekun e mbi 200 punëtorëve të larguar duhet ta mbulojnë punëtorët aktual. Sharrcem ka rreth 450 punëtorë më pak që nga komercializimi dhe privatizimi. Për D.G. dhimbjet janë hiçgjë përballë kënaqësisë që ia jep mundësimi i shkollimit të vajzave. Por, deri në fund, ai rrezikon të mbetet tërësisht i palëvizshëm.
Shitja e Sharrcemit ishte bërë pa ndonjë informim paraprak të punëtorëve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Lajmin për shitjen e pronës, punëtorët e kishin kuptuar prej lajmeve të mbrëmjës atëditë. Sipas ekspertëve, kjo ndërmarrje vlerësohej mbi 120 milionë euro, por çuditërisht u privatizua për vetëm 30.1 milionë. Vitin e kaluar, punëtorët e Sharrcemit mundësuan thyerjen e rekordit të prodhimit duke punuar në tri ndërrime. Sivjet pritet rekord i ri. Diçka që nuk pritet as vitin e ardhshëm, është rritja e numrit të punëtorëve. Kujtojmë se me rritjen e prodhimit, rrjedhimisht rritet edhe nevoja për fuqi punëtore, si dhe nevoja për të mirëmbajtur makineritë.
Menjëherë pas përfundimit të mbikëqyrjes tri vjeçare nga AKP-ja, kjo kompani kishte tri valë të largimeve të punëtorëve. Së fundmi, duke hulumtuar fatin e punëtorëve në ish-ndërmarrjet publike dhe shoqërore (Sharrcem, KEDS dhe Ferronikel), përmes Institutit për Kritikë dhe Emancipim, doli se rreth 32% e punëtorëve besojnë se ka pasur përmirësime minimale të kushteve të tyre të punës. 40% prej tyre mendojnë se ka pasur përmirësime të dukshme. Përgjithësisht, punëtorët e Sharrcem mendojnë se kushtet i kanë më të mira sesa që i kishin përpara, ndonëse reduktimi i numrit të tyre u’a bën të llahtarshme punën.
I.N. ka 15 vite që punon si mirëmbajtës i rrjetit në KEDS. Krahasuar më të kaluarën ai detyrohet të punojë orë shtësë më qëllim që të përformojë mirë. Ka vite që punon të shtunëve. Për punën e së shtunës, punëtorët e kësaj kompanie besojnë se është e barazvlefshme më punën e 60 punëtorëve për një vit. Para privatizimit, KEDS kishte mbi 2700 punëtorë, ndërsa sot ka rreth 2200. Paradoksalisht, I.N. duhet të nxitoj anipse punon me tension të lart. Dy kolegë të tij, për dy vite ndërmjet, që të dy njëjtë, të varur në shtyllë elektrike, kishin vdekur më 2015, respektivisht më 2017. Neveri, ndër tjera, përditë atij i ngjallë unifroma e punës, e cila kutërbon gjatë verës ndërsa e mban ftohtë gjatë dimrit. Kjo supozohet se është një prej investimeve të pronarëve të rinj. Ai është i vetmi që punon në familje dhe nuk ndihet i përfaqësuar nga ndokush, aq më pak nga sindikata.
KEDS ishte shitur për 26.3 milionë euro më 2013, ndërsa vlera e këtij aseti besohet se ishte mbi 200 milionë euro. Po ashtu, 55 milionë euro ishin investuar më herët në rrjetin e shpërndarjës dhe furnizimit. Ky investim e ka nxjerrur trefishin e vet që në vitin e tretë të privatizimit. Ndonëse 500 punëtorë më pak që nga privatizimi, KEDS-i punon me kapacitete të njëjta. Vitin e kaluar, kohë kjo kur përfundoi mbikëqyrja e KEDS-it nga AKP-ja, ishin larguar 93 punëtorë me kontrata me afat të pacaktuar. Ky kontest sot ka përfunduar në disfavor të tyre, ndonëse njëri kishte tentuar të vetëvritej meqë i kishte vetëm ato të ardhura. Punëtorët janë jashtëzakonisht të pakënaqur me kushtet e punës. Sipas gjetjeve të IKE-së, 29% të punëtorëve janë të pakënaqur me kushtet e punës, ndërsa 41% e tyre janë shumë pak të kënaqur. Po ashtu, problemi vazhdon të jetë tek trysnia e menaxherëve për të arritur përformancën e paracaktuar.
E lartësuar si storie suksesi nga AKP-ja, që 28 vite në Ferronikel punon shpuesi M.K. Pozita e punës së tij është aty ku burojnë helmet dhe prodhohet nikeli. Nuk kishte qëlluar në punë vite më parë, kur sikur Vezuvi, kishte shpërthyer furra elektrike. Dy bashkëpunëtorë të tij ishin lënduar atë ditë. Ai ironikisht pyeti se a duket si njeri, meqë ngjyra e lëkurës së tij kishte marrur trajtë të tjetërbotshme. M.K. është njëri prej 850 punëtorët e mbetur nga mbi 2000 sa ishin para privatizimit. Ndonëse, nuk rekomandohet në sektorin e shpuarjes të punohet më shumë se pesë vite, ai ka vetëm një kërkesë: të paguhet në përputhje me fuqinë punëtore. M.K. është i pagojë sepse puna e ka topitur aq shumë saqë ambienti i punës flet më shumë për të.
Ferronikel ishte privatizuar për 30.5 milionë euro, edhe pse vlera e tij besohet të ishte rreth 300 milionë euro. Sikurse ne kompanitë e lartpërmendura, edhe aty ishin larguar rreth 85 punëtorë pas përfundimi të mbikëqyrjës së AKP-së. Për dallim prej dy kompanive tjera, sipas gjetjeve të IKE-së, 58% e punëtorëve mendojnë se nuk ka pasur kurrfarë përmirësimi të kushtëve të punës pas privatizimit.
Ndonëse, kompanitë fituese sidomos ato që konkurronin me spin-off special, përzgjedheshin sipas këtij kriteri: a) 50 pikë në bazë të çmimit ofertues; b) 25 pikë në bazë të investimeve; c) 25 pikë në bazë të punësimit. Nuk mund të thuhet se Frronikeli, Sharrcem dhe KEDS e realizuan kriterin e punësimit, anipse vetëm Ferronikeli është shitur sipas kësaj metode. Kushtet e punëtorëve vazhdojnë të jenë të papërshtatshme, dukshëm në Ferronikel. Punëtorët në masë të madhe mendojnë se kushtet nuk janë përmirësuar siç kishin pritur. Tezga e privatizimit ka mbledhur rreth 700 milionë euro nga shitja e rreth 1.200 ndërmarrjeve shoqërore. Edhe po të shiteshin këto tri kompani sipas vlerësimeve të ekspertëve, atëherë vlera e tyre do të ishte mbi 620 milionë euro. Ndonëse të dëmtuara, 86% e ndërmarjeve shoqërore ishin aktive në vitin 2000, dhe për më tepër, kjo tregon panevojën që ato të privatizoheshin. Fundja, prodhimi vetvetiu do të nxjerrte fitimin ndërsa kjo e fundit do të investonte në makineri, kuadro dhe sektorë tjerë.
Përfundimisht, tezga ku janë shitur asetet shoqërore dhe publike, ka funksionuar sipas parimit të zhvlerëzimit që bën ideologjia dominuese: sa më shumë politika neoliberale, aq më shumë kaos; sa më shumë zhvlerësime të aseteve shoqërore, aq më shumë korrupsion; sa më servil përfaqësuesit e punëtorëve, aq më shumë punëtorë të larguar nga puna;
P.S.
Requiem për A.M. ose në kujtim të punëtorëve të sektorit privat
Sh.I. është menaxher i lart. Si ai ishin edhe dhjetë të tjerë. Por, ai ishte i lart. Autoritetin simbolik, përkundër që ia jepte uniforma dhe thirrja para emrit, ai nuk e ushtronte vetëm pse mundej; por vetëm pse mundej. Rrogën nuk e kishte edhe aq të madhe sa mjerimin. Ishte e vetmja gjë substanciale që e ndante me punëtorët tjerë. Ndonjëherë ndihej si Zot kur urdhërat e tij zbatoheshin në përpikmëri. Në fund të ditës, ai mezi e kuptonte se është punëtorë si gjithë të tjerët.
I.V. është mekanik që punon në një përfaqësi të madhe automobilistike në Prishtinë. Që dy vite automatikisht rrogën ia merr banka. Pronari ia jep rrogën me rregull, më përjashtim kur duhet të paguhet malli i bllokuar në doganë. Atëherë rroga mund të vonohet deri më datën 15 ose 25. Atëherë ai duhet të lajmërojë bankën. Atëherë ai duhet të hyjë në borxhe tjera. E, atëherë dhe një kohë, ai e kishte marrur kredinë për të blërë drunjtë për ngrohje atë dimër. Me pjesën e mbetur ai u kishte blerë rroba fëmijëve. Sot, I.V. shkon në punë përditë përpjetëzës së Veternikut me veturën e blerë me kredi. Nëse nuk e largojnë nga puna, kredinë e kryen deri në fund të vitit 2020, por jo edhe të ftohtin në ambientin e punës, këtë dimër që po vjen.
P.P.S.
Me qëllim që të mbrohen punëtorët që ndanë përvojat e tyre, inicialet e sipërpërmendura janë shtrëmbëruar!