Para dy vitesh filloi ndërtimi i sistemit për ujitje Raven –Reçicë. Punimet janë duke vijuar sipas dinamikës së paraparë. Ministri për përmirësimin e klimës investuese në vend Hisen Xhemaili thotë se deri më tani realizimi i punëve në terren ka arritur deri në masën prej 48%, njofton Insajderi.
”Punët shkojnë pa problem dhe kemi realizuar thuajse gjysmën e projektit, kurse punët duhet të përfundojnë në vitin 2021 sipas asaj që është paraparë në kontratë” thotë Xhemaili.
Ndërkohë, në fillimin e punëve më 31 gusht të vitit 2018, ishte i pranishëm edhe ish- kryeministri Zoran Zaev i cili premtoi se ky projekt do të ndihmojë bujqit e kësaj zone. Zaev në atë kohë theksoi se realizimi i këtij projekti kapital financohet me mjete nga buxheti i qeverisë që kap shumë prej 975 milion denarëve apo mbi 15 milion euro.
“Nga ky sistem i ujitjes, që përfshinë një hapësirë prej 3920 hektarë tokë bujqësore, do të ujitet toka bujqësore që shtrihet në pjesën e epërme të autostradës Tetovë – Gostivar deri në periferi të Malit Sharr. Përveç kësaj sipërfaqeje bujqësore në këtë sistem të ujitjes do të përfshihet edhe sipërfaqja e tokës bujqësore që gjendet nën autostradën Tetovë Gostivar dhe do të ujiten sipërfaqe shtesë të tokës bujqësore të komunës së Gostivarit, Vrapçishtit, Bogovinës, dhe Tetovës. Realizimi i këtij projekti që kushton rreth 975 milion denarë do të financohet vetëm me mjete nga buxheti i Republikës së Maqedonisë përmes programit për mbështetje financiare të zhvillimit rural”, ka thënë në vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e këtij sistemi ish-kryeministri Zaev.
Ndërtimi i këtij sistemi duhet që të ndihmojë bujqit e Pollogut që të ujisin pronat e tyre ngase dekada me radhë problem numër një për bujqit është mungesa e ujit për ujitje. Ky investim kapital është i një rëndësie të madhe për banorët e këtij regjioni dhe vendit në tërësi. Realizimi i këtij projekti që do të zgjasë pesë vite do të financohet nga buxheti I shtetit dhe do të kushtojë mbi 15 milionë euro Me këtë sistem do të përfshihen 22 vendbanime në komunat Gostivar, Vrapçisht, Bogovinë dhe Tetovë. Me sistemin e ujitjes do të do të përfshihen edhe sipërfaqet bujqësore në anën e djathtë të autostradës Tetovë – Gostivar , si edhe sipërfaqet prej anës së majtë të rrugës me sipërfaqe të përgjithshme prej mbi 3.300 hektarë. Që të vihet në funksion ky sistem bujqit e Tetovës do të duhet që të presin edhe tre vite dhe më pas të mund të ujisin pronat e tyre. Ndërtimi i këtij sistemi ka qenë kërkesë e kamotshme e bujqve të Pollogut ngase shumë prej tyre ishin detyruar që të mos punojnë pronat për shkak të mungesës së ujit për ujitje./Insajderi.com