fbpx

Pupovci: Në arsim gjithnjë synohet të punohet në atë mënyrë që të mblidhen sa më shumë vota

Pupovci: Në arsim gjithnjë synohet të punohet në atë mënyrë që të mblidhen sa më shumë vota

Dukagjin Pupovci, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim në Kosovë e ka cilësuar si të duhur vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) për mos akreditimin e Universitetit të Mitrovicës, Pejës e Prizrenit dhe disa kolegjeve private.

Përderisa ka kritikuar ashpër reagimin e kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj – i cili i quajti mercenarë, mafiozë e dallaverxhi anëtarët e këtij këshilli.

Pupovci për InDoks ka thënë se fusha e arsimit po shfrytëzohet që të mblidhen sa më shumë vota.

“Investimet, përparësitë e Qeverisë janë gjithnjë në autostrada, në infrastrukturë, ndërtimin e hidrocentraleve… në anën tjetër në arsim gjithnjë synohet të punohet në atë mënyrë që të mblidhen sa më shumë vota”, ka thënë ai.

Drejtori i KEC ka thënë se Kosova është njëra ndër shpenzueset më të mëdha të buxhetit të arsimit.

“… proporcionalisht me bruto produktin vendor, 4,7% i shpenzon Shqipëria është diku 3.2 përqindëshi dmth shtetet tjera të regjionit janë shumë më pak se ne. Mirëpo mbi 85% e këtij shpenzimi është në paga, thjesht tek ne për qëllime elektorale rriten pagat e arsimit, mirëpo nuk kërkohet një përgjegjësi dhe një llogaridhënie më e madhe”, është shprehur ai.

InDoks përmes dokumentarit “Shesim diploma” do të zbulojë prapaskenat e krijimit të këtyre universiteteve publike. Prapaskenat e funksionimit të universiteteve private. Do të zbulohen dokumente të pa para më herët nga publiku. Do të flasin ata që i drejtojnë këto institucione dhe ata që paralajmëruan shumë herët për krimet që po ndodhnin në arsim.