Pupovci: Serbët të pranojnë autoritetin e Kosovës në arsim që të arrihet marrëveshje për kurrikulat në gjuhën e tyre

Pupovci: Serbët të pranojnë autoritetin e Kosovës në arsim që të arrihet marrëveshje për kurrikulat në gjuhën e tyre

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se nuk janë ende në proces të përgatitjes së kurrikulës në gjuhën serbe, pasi sipas tij, duhet të arrihet marrëveshje me komunitetin serb në Kosovë për integrimin e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, transmeton Insajderi.

Pupovci shprehet se në të gjitha shkollat ku zhvillohet mësimi në gjuhen serbe punohet me kurrikulë të Serbisë dhe këtë ai e cilëson çështje politike.

Në një konferencë për media, ai tha se ende nuk është arritur në pikën ku komuniteti serb në Kosovë të pranojë autoritetin e Republikës së Kosovës në fushën e arsimit.

“Të gjitha shkollat ku zhvillohet mësimi në gjuhën serbe funksionojnë me kurrikulë të Serbisë. Numri i saktë dihet, unë nuk e di përmendsh por mund të gjendet nuk është ai ndonjë problem, mirëpo kjo është një dukuri dhe është një çështje politike thjeshtë sepse ende nuk kemi ardhur në pikën që komuniteti serb të pranojë autoritetin e Republikës së Kosovës në fushën e arsimit. Në fakt sipas ligjit për arsimin në komuna, komuniteti serb ka të drejtë t’i shfrytëzojë plan programet e Serbisë por me disa kushte ligjore, me njoftimin e ministrisë dhe me dhënien mundësi ministrisë që të deklarohet nëse ato programe janë në përputhje ose në kundërshtim me kornizën kurrikulare të Kosovës”, ka thënë Pupovci, raporton KP. /Insajderi.com