Pushim tre-mujor në bisedimet Maqedoni e Veriut – Bullgari

Pushim tre-mujor në bisedimet Maqedoni e Veriut – Bullgari

“Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian është shumë e vështirë, e ngushtë dhe me pjerrësi. Procesi është në krizë, zgjerimi është në krizë dhe mendoj se mossuksesi i Bashkimit Evropian për ta zbatuar vendimin e vet dërgoi sinjale negative për një rajon i cili gjeografikisht është i rrethuar me vende-anëtare të Bashkimit Evropian”. Kështu tha zëvendës kryeministri për Çështje Evropiane në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov.

Ai paralajmëron “pushim”, deri sa të mbarojnë zgjedhjet në Bullgari të caktuara për më 28 mars. “Tani është koha të fokusohemi në reformat e brendshme”, tha ai.

“Një pjesë e forcave politike bullgare dëshirojnë që këtë çështje ta shfrytëzojnë në fushatë. Nuk mendoj se do të ndihmojmë nëse përfshihemi në këtë histori. Mendoj se është koha që të pushojmë pak nga ky problem dhe praktikisht nga Bullgaria. Është koha që ta investojmë energjinë dhe kohën e limituar që kemi, në rregullimin e oborrit tonë” tha tutje Dimitrov.

Ndërkaq, kreu i opozitës maqedonase, VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski ritheksoi nevojën për një  marrëveshje të re me Sofjen.

“Përderisa politikanët në fqinjin tonë lindor vazhdojnë me mohimin e mëvetësisë maqedonase, gjuhës, traditës, zakoneve, historisë, kulturës, atëherë vërtetë nuk e shohim cila është vlera e kësaj marrëveshjeje. Ajo marrëveshje, praktikisht, nuk ka vlerë dhe mendoj se duhet të ulemi e të bisedojmë për marrëveshje të re, në të cilën prioritet do të jenë çështjet që na bashkojnë e jo ato që na ndajnë” tha Mickoski.

Zgjerimi me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk është në mesin e prioriteteve të Portugalisë, e cila kryeson me Bashkimin Evropian gjatë gjashtë muajve të parë të vitit. /Insajderi.com