Koalicioni i partive opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa vlerësuan se teatri që po ndodhë në parlament, në tempullin e demokracisë, është indikator për shumicën e brishtë parlamentare dhe një tentative anemike për defokusim nga aferat e shumta kriminale, dështim total në menaxhimin me pandeminë dhe paniku nga potenca politike e opozitës të bashkuar shqiptare.
Partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut vlerësojnë se pjesëmarrja në seancë parlamentare e deputetëve pozitiv me virus dhe të sëmurë me COVID 19 ishte edhe një skandal i radhës i shkaktuar në relacionin kryetar i Parlamentit dhe kryetar i Komisionit për sëmundje ngjitëse, Xhaferi – Karaxhovski.
“Ky bashibozlluk i kësaj dyshe dëshmon për qeverisje haotike dhe të rrezikshme për shëndetin publik. Përkatësisht, z.Talat Xhaferi në një emision televiziv deklaroi se me kërkesë të tij Komisioni për sëmundje ngjitëse ka përpiluar një protokol të veçantë për pjesëmarrjen e deputetëve të sëmurë në parlament e nënshkruajtur nga kryetari i ketij komisioni, dr. Karaxhovski”, theksohet në reagim të partive opozitare shqiptare, njofton Insajderi.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, nënvizon se disa herë kanë kërkuar dorëheqjen dhe shpërbërjen e Komisionit për sëmundje ngjitëse për shkak se vlerësojnë se është komision që sjell vendime politike dhe jo profesionale.
“Për rastin në fjalë dyshimet tona janë se Kryetari i Komisionit ka sjellë vendim kokë më vete ashtu siç e kanë urdhëruar Ministri, Kryeministri ose Kryetari i Kuvendit në tentimin e tyre për të përfituar pikë politike duke krijuar një spektakël mediatik në Kuvend me deputetët e veshur me skafanderë.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa edhe një herë kërkon dorëheqjen e komisionit dhe formimin e një komisioni shtetëror me kompetenca të fuqizuara dhe të përbërë nga profesionistë të fushës si epidemiolog, infektolog, imunolog dhe mikrobiolog”, vlerëson Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. /Insajderi.com