Ndryshimi i kushteve atmosferike ka boshatisur bregdetin shqiptar në mes të korrikut.
Pushuesit kanë braktisur plazhin e Durrësit dhe Lezhës për shkak të reshjeve të shiut që kanë nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm.
“Gjatë natës dhe mëngjesit ka pasur reshje të pakta në pjesën më të madhe të vendit, jo më shumë se 7 mm ndërsa reshje disi më të konsiderueshme ka pasur në zonën lindore, rreth 20 mm”, ka raportuar ‘Tch’.
Sipas Meteoalb, pritet që pas orës 13:00 deri rreth orës 19:00, reshjet të intensifikohen në zonat Pukë, Kukës, Dibër, Burrel, Rrëshen, Krujë, Tiranë, Durrës dhe Elbasan, ku pritet që intervali 6-7 orësh të sjellë reshje shiu nga 20 mm deri 50 mm.
Megjithatë, paraditen e sotme në portin e Durrësit kanë mbërritur rreth një orë më vonë se parashikimi dy tragetet e linjës Bari-Durrës, ndërsa trageti i Ankonës nuk ka pasur vonesa.
Katër mijë udhëtarë kanë mbërritur me tragete nga Italia në portin detar të Durrësit.
Deti regjistron një forcë prej 4-5 ballësh, e cila nuk e ka ndërprerë lundrimin detar.
Kapitaneria e Durrësit bën me dije se forca e detit nuk do të jetë problem për lundrimet në orët në vazhdim, ndërsa reshjet e shiut do të karakterizojnë motin në bregdet edhe gjatë ditës së hënë./Insajderi.com