Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk do të vizitojë Beogradin në tetor, ashtu siç ka paralajmëruar në disa raste presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njofton Insajderdi.
Bazuar në burimet diplomatike të Gazetës Danase thuhet se Rusia nuk është e kënaqur që së fundi Serbia është afruar shumë me SHBA-në sa i përket politikës së jashtme, sidomos pas takimit të 4 shtatorit në Uashington ku u firmosen zotime nga Serbia e Kosova për normalizim ekonomik.
“Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë shënon dhe një kthesë në humbjen e ndikimit të Rusisë në Ballkan, gjë që e nervozon Kremlinin. Serbia po e zgjidh çështjen me Kosovën pa pjesëmarrjen e Rusisë dhe po afrohet me SHBA-në, e cila po rritet në kurriz të Rusisë”, ka thënë burimi i gazetës “Danas”.
Vuçiqi gjatë vizitës së tij në Moskë në qershor, kishte thënë se Putini ia ka konfirmuar kthimin e vizitës gjatë tetorit. Vuçiqi këtë e kishte quajtur “ngjarje të mahnitshme”./Insajderi.com