Putin reagon ndaj shteteve të BE-së për Kosovën

Putin reagon ndaj shteteve të BE-së për Kosovën

Vladimir Putin tha sot se shtetet e Bashkimit Evropian i kanë dhënë shtytje ndjenjave separatiste në Evropë kur u përkulën para Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe e mbështetën shkëputjen e Kosovës nga Serbia.

“Sa i përket situatës në Katalonjë, ne kemi parë se një numër i madh i shteteve të BE-së kanë dënuar veprimet e përkrahësve të pavarësisë. Lidhur me këtë, më duhet të them – duhet ta kishit menduar më parë”, tha sot presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shkruan mediumi rus Sputnik.

Mbështetja unanime e BE-së për shkëputjen e Kosovës nga Serbia ka qenë një pikë kthese, dhe Evropa tani po përballet me pasojat e politikave të mëparshme, që synojnë “kënaqjen e vëllait të madh nga Uashingtoni”, beson Putini.

“Rezulton se në sytë e disa kolegëve tanë ka përkrahës legjitim për pavarësi dhe liri, dhe pastaj ka edhe separatistë, të cilët nuk mund t’i mbrojnë të drejtat e tyre edhe përmes procedurave demokratike”, tha Putin. /Insajderi.com