
Kryeministri Ramush Haradinaj, mori vendimin që të shkarkojë Komisionin Shtetëror për Demarkacion qysh në mbledhjen e parë të Qeverisë dhe kjo nuk kaloj pa u diskutuar nga kabineti i tij i ministrave.
Kësisoj, vendimi i kryeministrit u bë arsye që ministri i Drejtësisë që vjen nga PDK-ja, Abelard Tahiri ta pyes për diçka të rëndësishme.
“A keni vënë kontakt me autoritet e Malit të Zi, dhe si do të reflektojë kjo në marrëdhëniet tona me ta, duke e ditur se ata e kanë miratuar marrëveshjen”, ka pyetur ministri i Drejtësisë.
Përgjigja e Haradinajt nuk ishte konkrete.
“Ne kemi… po qartësojmë procedura të brendshme aq sa të mbërrijmë. Por po besoj se institucionet tona relevante janë në kontakt me qeverisjen në Malin e Zi”, ka thënë Haradinaj.
Ai më pas ka thënë se Qeveria e tij është e interesuar që sa më shpejt ta kryej demarkacionin me Malin e Zi.
“Ka komunikim por në një etapë tjetër duhet të jemi më konkret”, tha Haradinaj./Insajderi.com