Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nga ora 19:00 të dielën deri në orën 19:00 të hënën, ka pranuar 46 ankesa për parregullsi gjatë ditës së votimit, përcjell Insajderi.com.
Përmes njoftimit, PZAP ka bërë të ditur se këto ankesa janë bërë kryesisht nga individë, subjekte politike, kandidatë për Kuvende Komunale, e të cilat do të shqyrtohen brenda 72 orëve.
“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, nga ora 19:00 datë 17.10.2021, deri në ora 19:00 datë 18.10.2021, në aftin prej njëzetekatër (24) orëve nga mbyllje e Qendrave te Votimit ka pranuar 46 ankesa, me pretendimet se ka pasur parregullsi në ditën e votimit.
Ankesat janë paraqitur nga individ, subjekte politike, kandidatë për anëtar të Kuvendeve Komunale, të cilat do të shqyrtohen dhe vendosen nga PZAP-i Brenda afatit ligjor prej 72 orëve”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
“Postim i një fotografie me përmbajtje elektorale në rrjetin social në FB, shpërndarje e videove, fotove me përmbajtje elektorale në rrjetin social Facebook, thyerje e heshtjes zgjedhore – thirrje për të votuar nëpërmjet postimit të fotos së fëmijëve në rrjete sociale Instagrami, nuk i është mundësuar votimi në VV, ankesa për shkak të mungesës së votave, parregullsi në vendvotime, parregullsi gjatë numërimit të votave nga ana e KVV-ve, grumbullimi i njerëzve si presion ndaj votuesve për të votuar subjektin e caktuar politik, fletëvotime te pavulosura etj”, njofton PZAP.
Ndryshe, zgjedhjet lokale janë mbajtur të dielën në Kosovë, ku nëntë komuna kanë fituar pa balotazh, ndërsa raundi tjetër do të mbahet më 14 nëntor./Insajderi.com