PZAP pranon 65 ankesa – PAN e LAA ankohen më së shumti

Partitë dhe koalicionet politike në Kosovë kanë dorëzuar 65 ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Ankesat janë bërë, ashtu siç e parasheh afati kohor, brenda 24 orëve pas shpalljes së zgjedhjeve nga kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka.

Ankesa ka pasur gati nga të gjitha partitë, por më së shumti janë dorëzuar nga koalicionit me akronimin PAN, i formuar parazgjedhjeve në mes të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, shkruan Klan Kosova.

Mul Desku,  kryesues i Sekretariatit të PZAP-it, ka thënë për Klan Kosovën se ankesa ka pasur edhe nga koalicionit tjetër në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, por edhe nga Lista Serbe e Lëvizja Vetëvendosje.

“Kanë ardhur gjithsejtë 65 ankesa. Nga koalicioni PAN janë 22, nga koalicionit tjetër LAA janë 19, nga Lista Serbe 11, kurse nga Vetëvendosje janë dy”, pohoi Desku për Klanin.

“Kryesisht ankesat kanë të bëjnë me mospërputhjen e numrave. Partitë kanë tjera numra ndërsa nga KQZ-ja janë shpallur të tjerë”,

Ankesa ka edhe brenda koalicioneve, ka treguar Desku.

“Ka ankesa edhe nga kandidatët. Ankesa të llojit se i janë marrë vota një kandidati dhe i janë vendosur një tjetri, por partitë kanë thënë se këto gabime janë bërë për shkaqe teknike”.

Pas pranimit të ankesave PZAP ka 72 orë që t’i shqyrtojë ato dhe të vendosë në favor të ankuesve, ose jo.

Rezultatet e zgjedhjeve janë publikuar të enjten.

Sipas rezultateve, ende të pacertifikuara, koalicioni PAN ka 39 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje 32, ndërsa koalicioni LAA 29.