
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka pranuar katër ankesa nga partitë politike pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
Mulë Desku, kryesues i Sekretariatit në PZAP, për Shqip.com ka treguar se tri ankesa i kanë pranuar për rezultatin e zgjedhjeve dhe një ankesë lidhur me fushatën që po bëhet para kohës së paraparë për fushatë në balotazh.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa
Desku pohon se ankesa kanë parashtruar dy kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës, një nga Nisma Socialdemokrate dhe një nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Ankesë ka paraqitur Kandidati i PDK-së për Kryetar të Komunës së Shtimes, për shkak të gabimit të regjistrimit të votave në mes të kandidatëve për kryetar të Komunës së Shtimes. Ankesë ka paraqitur Kandidati i PDK-së për Kryetar të Komunës së Ferizajt, për shkak të mos regjistrimit të saktë të votave me kusht dhe me postë.
Ndërkaq, afati për pranimin e ankesa lidhur me rezultatin e zgjedhjeve për kryetar komunash ka përfunduar të premten në orën 10:00, kur palët kanë mundur të parashtrojnë ankesë 24 orë pas publikimit të rezultateve.
Ndryshe, të enjten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale që janë mbajtur më 17 tetor.
Sipas rezultateve, në 17 komuna janë zgjedhur kryetarët e rinj duke fituar mbi 50 për qind të votave, kurse në 21 komuna do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve që do të mbahen më 14 nëntor.
Kurse, periudha e votimit përmes postës për raundin dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë ka filluar të premten, 29 tetor dhe do të zgjasë deri më 12 nëntor./SHQIP.com