PZAP sot publikon vendimet për ankesat e dorëzuara për rezultatin zgjedhor

PZAP sot publikon vendimet për ankesat e dorëzuara për rezultatin zgjedhor

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa sot (e hënë) pritet t’i publikojë vendimet lidhur me ankesat që janë parashtruar për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit, njofton Insajderi.

Përmes një njoftimi për media, PZAP bën të ditur se vendimet do të publikohen në orën 13:00, në faqen zyrtare dhe në atë të rrjetit social Facebook të këtij institucioni.

“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, njofton mediat dhe publikun se brenda afatit ligjor prej 72 orëve do të vendos lidhur me apelet e paraqitura nga kandidatet për deputet të subjekteve politike, kundër vendimit të KQZ-së Nr. 860 të datës 04.03.2021 me të cilin vendim në ora 11:25 ka shpallur Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvend të Kosovës të mbajtura me datën 14 shkurt 2021. PZAP-i për përfundimin e vendimmarrjes meritore lidhur me këto apele sot rreth orës 13:00 do t’i njoftoj mediat dhe opinionin publik përmes një njoftimi i cili do të publikohet në faqen zyrtare dhe Facebook të PZAP-it”, thuhet në njoftimin e PZAP-së.

PZAP thekson se kandidatet të cilët kanë apeluar vendimet e KQZ-së në PZAP do të njoftohen me kohë me vendime lidhur me apelet e parashtruara dhe kundër vendimeve të PZAP-it mund të paraqesin ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda afatit ligjor prej 24 orëve nga momenti i njoftimit te tyre me vendime. Ndërsa, Gjykata Supreme e Kosovës ka për obligim që të marrë vendime lidhur më ankesat brenda afatit ligjor prej 72 orëve nga momenti i paraqitjes së tyre ne Gjykatë.

Vendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës janë përfundimtare./Insajderi.com