Të martën, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të kumtojë vendimin për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA Socialdemokrate në lidhje me mos-certifikimin e listave zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në njoftimin e PZAP-it thuhet se 72 orëshi është afati i fundit për përgjigjen e këtyre ankesave, përcjell Insajderi.
“PZAP-i do t’ju informojë në afatin më të shpejtë të mundshëm për vendimet që do t’i marrë lidhur me apelet e paraqitura nga subjektet politike kundër vendimit të KQZ-së për mos-certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve. Afati për shqyrtimin dhe vendosjen e këtyre apeleve është 72 orë nga momenti i dorëzimit të këtyre apeleve nga palët në PZAP që i bie se vendimet do të merren deri nesër me datë 26 janar 2021”, thuhet njoftimin.
Vendimin e PZAp-it do ta respektoj KQZ. Kështu, tha zyrtari i këtij institucioni, Valmir Elezi.
“KQZ është duke pritur shqyrtimin dhe vendimin e PZAP-së lidhur me ankesat të cilat janë paraqitur në këtë institucion. Siç kemi bërë të ditur edhe më parë, KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-së si dhe Gjykatës Supreme”, tha ai. /Insajderi.com