Qalaj: Arrestimi i anëtarëve të PSD-së joprofesional, s’besoj që politika ka gisht

Qalaj: Arrestimi i anëtarëve të PSD-së joprofesional, s’besoj që politika ka gisht

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, thotë se aksioni i djeshëm i policëve ndaj anëtarëve të Partisë Socialdemokrate dhe arrestimi i tyre ishte joprofesional, megjithatë thotë se nuk beson që politika ka pasë dorë në këtë rast, transmeton Insajderi.com.

Ai thotë se është dashur të bëhen përgatitje më të mira në aspektin operacionat prej Policisë kur bëhet fjalë për ardhjen e Trendafilovës dhe ndjeshmërisë së kësaj vizite.

“Nuk është bërë një vlerësim i mirë i rrezikshmërisë për ardhjen e Trendafilovës. Jo pse vizita ka qenë aq e rëndësishme, por ka qenë e ndjeshme. Është dashur të bëhen përgatitje më të mira në aspektin operacional prej Policisë së Kosovë që të mos vijë deri te ato skena që i pamë”, ka thënë ai në “Sytë 7” në Klan Kosova.

Qalaj tha se policët që zhvilluan aksionin kanë qenë të rinj dhe s’kanë vepruar në bazë të asaj që u mësohet atyre gjatë trajnimeve.

“Siç e pashë ata kanë qenë policë të rinj dhe mendoj se ata kanë më shumë nevojë që të bëjnë trajnime për menaxhimin e turmave në situata të tilla. S’mund të them, s’guxoj të them, që politika e ka urdhëruar policinë që të sillet në atë mënyrë. Më shumë e konsideroj si mungesë të përvojës në menaxhim të policëve të rinj”.

“Përdorimi i forcës u bë në mënyrë joprofesionale edhe pse arrestimi bëhet në forma të ndryshme. Por, kur e përdor forcën duhet ta përdorë në mënyrë profesionale dhe t’i përdorë mjetet dhe teknikat e arrestimit siç i kanë mësuar dhe jo ato që i pamë dje”, tha më tej ai. /Insajderi.com