Qalaj: Hoti më shkarkoi si hakmarrje për arrestimin e nënkryetarit të LDK-së

Qalaj: Hoti më shkarkoi si hakmarrje për arrestimin e nënkryetarit të LDK-së

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës dhe tashmë kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Rashit Qalaj, ka folur lidhur me shkarkimin e tij nga pozita e drejtorit të institucionit më të lartë të sigurisë në vend, njofton Insajderi.

Qalaj u shpreh se lirimi i tij nga detyra ka ndodhur për shkak të arrestimit të nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova.

“Lirimi nga detyra ka ndodhur për shkak të rastit të njohur të kryetarit të Istogut dhe nuk ka asgjë tjetër”, ka thënë Qalaj në T7.

Madje, sipas tij, edhe në raportin ku theksohen arsyet, nuk ka asgjë në të, pasi thotë se asnjëherë nuk kishte diskutuar me Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu, nëse ai kishte mangësi në kryerjen e detyrës së drejtorit të Policisë.

“Është deklarim i tyre, normalisht është dashur të shkruhet një raport, i cili nuk ka asgjë, sepse nuk kemi diskutuar asnjëherë asgjë me tashmë ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, për ndonjë mangësi në Policinë e Kosovës. Madje, Policia është lavdëruar edhe nga ministri Veliu edhe nga kryeministri Hoti”, ka shtuar me tutje Qalaj.

Ndërsa, lidhur me aderimin e tij në PDK, ai u shpreh se që prej fëmijërisë ka pasur afërsi me këtë subjekt politik. Qalaj shtoi se tërë kjo vëmendje ndaj tij po bëhet pasi iu bashkua PDK-së dhe jo një partie tjetër./Insajderi.com