Qalaj thotë se nuk ka pasur probleme në Polici për dorëheqjen e tij

Qalaj thotë se nuk ka pasur probleme në Polici për dorëheqjen e tij

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i cili i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës, është deklaruar rreth dorëheqjes së tij, për çka është raportuar se nuk po pranohet pasi që sipas PK-së nuk është në përputhje me procedurat standard të operimit, të cilat parashohin që punonjësi i policisë në rastet kur jep dorëheqje vullnetare duhet që dorëheqjen ta paraqes një muaj përpara.

Qalaj e ka mohuar një gjë të tillë, duke deklaruar se dorëheqja e tij është pranuar në procedurë të rregullt dhe nuk ka shfaqur asnjë problem.

“Edhe unë e kam lexuar atë lajm, mirëpo nuk ka kurrfarë kallëzimi penale ndaj askujt, meqenëse nuk ka asnjë vepër që dikush të jetë pjesë e proceseve të ndryshme. Realisht dorëheqja e rregullt e imja është pranuar të premten, në ora 15:30 nga personat përgjegjës në Policinë e Kosovës. Nuk kam pasur asnjë problem lidhur me këtë çështje”, deklaroi ai për ‘Lajmin’.

“Unë i kam hyrë garës me besim në Partinë Demokratike të Kosovës, pasi kjo parti unë konsideroj se i ka njerëzit më të mirë dhe e di që PDK do të dalë me rezultat shumë të mirë nga këto zgjedhje”, tha Qalaj tutje.

Ai tutje ka bërë të ditur edhe arsyen pse ka zgjedhur Partinë Demokratike që t’i bashkohet, duke thënë se është orientuar në këtë parti për shkak të përbërjes që ka.

“Dihet që PDK ka njerëz që kanë bërë pjesë në të gjitha proceset që ka kaluar Kosova, që nga lufta dhe angazhimi para luftës. Pastaj një numër shumë i madh i luftëtarëve të UÇK-së që jam edhe vetë, e që i takojnë PDK-së dhe poashtu në zyrën e saj ka shumë njerëz të arsimuar, shumë profesionistë që besoj se do t’i shtyjnë proceset përpara. Sigurisht se do të merrem më tepër me fushën e sigurisë, është edhe një nga zotimet e mija nëse arrij të jem deputet i Kuvendit të Kosovës, por edhe nëse s;’do të jem gjithmonë do të angazhohem shumë që të kemi një siguri sa më të madhe për popullin e Kosovës”, shtoi Qalaj. /Insajderi.com