Që dy muaj pa paga – ankohen punëtorët e Lotarisë: Ne mbajmë familjen dhe kemi kredi

Që dy muaj pa paga – ankohen punëtorët e Lotarisë: Ne mbajmë familjen dhe kemi kredi

Shqipe Hyseni, kontabiliste në Lotarinë e Kosovës është shprehur tejet e zhgënjyer me pezullimin e ligjit të lojërave të fatit dhe në veçanti me mos miratimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovës.

Ajo për Insajderin ka treguar se është mbajtëse e familjes dhe ka kredi në bankë për të cilën është e obliguar të paguaj. Hyseni ka thënë se qe 2 muaj që ka mbetur pa pagë është në hall se ku t’i gjeje paratë që t’a mbajë familjen e t’i kryej obligimet tjera.

“Tash kemi metë pa rroga, ato kredi kry dikush ato obligimet tona, nuk e di – kemi mbet shumë keq jo vetëm unë, por shumica e punëtorëve janë me kredi me obligime”, është shprehur ajo për Insajderin.
Gjatë intervistës ajo ka deklaruar se qe 32 vite si punonjëse e Lotarisë së Kosovës asnjëherë ska pasur problem dhe për këtë është habitur me veprimin e institucioneve tona.

Në anën tjetër, anëtarja e Sindikatës së Lotarisë së Kosovës, Shpresa Gosalci ka thënë se dëmet që i janë shkaktuar Lotarisë janë të mëdha.

“Dëmet janë shumë të mëdha përderisa nuk funksionon as edhe një pikë qysh nga data 10 maj kur edhe ka hy në fuqi ndalesa për gjitha lojërat e fatit – janë të mëdha dëmet që i janë shkaktu vet lotarisë por edhe dëmet ndaj punëtorëve”, është shprehur Gosalci.

Punëtorët e Lotarisë ka dy herë që janë duke mbajtur protestë pranë objektit të Qeverisë duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.

Këto protesta do të vazhdojnë deri në përmirësimin e situatës ka thënë anëtarja e Sindikatës. Gosalci ka treguar edhe detaje nga takimin që patën të hënën e kaluar (1 korrik), me këshilltarin e kryeministrit, Hysen Gashi.

“Në të gjitha këto kërkesat tona zotëri Gashi ka premtuar se do t’i diskutojë direkt me kryeministrin se faktikisht veçse është filluar të punohet lidhur me lotarinë, si dhe me subjektet tjera të cilat pavarësisht nga shfuqizimi i ligjit ende veprojnë ilegalisht, që veprojnë në gjithë territorin e Kosovës. Mirëpo deri më tani nuk kemi asnjë përgjigje – kështu që ne prapë do të fillojmë me protestat nga e hëna”, tha ajo.

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë protestuar për të dytën herë para Qeverisë së Kosovës, të hënën, duke kërkuar nga institucionet ta mbajnë premtimin për ligjin për Lotarinë e Kosovës./Insajderi.com