
Po vazhdojnë kërkimet në ditën e katërt për gjetjen e Muharrem Berishës, nga fshati Gurbardh i Malishevës, i cili nga data 24 qershor, është raportuar i zhdukur. Gjatë ditëve të kaluara, janë zhvilluar operacione të kërkimit, në të cilët kanë marrë pjesë të gjitha organet përkatëse dhe vullnetarë të shumtë.
Në këtë aksion, për të dytën ditë, po marrin pjesë edhe ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është angazhuar në operacion kërkimi në rajonin e Malishevës me vendim të ministrit Rrustem Berisha dhe me urdhër të Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas kërkesës së bërë nga Kuvendi Komunal i Malishevës”, thuhet në njoftim.
Komuna e Malishevës apelon te të gjithë banorët e zonës që të jenë bashkëpunues.