Që nga Janari 59 persona kanë vdekur nga aksidentet – Policia merr një veprim

Që nga Janari 59 persona kanë vdekur nga aksidentet – Policia merr një veprim

Kohëve të fundit kanë ndodhur aksidente të shumta me fatalitet në njerëz, ndërkohë që Policia e Kosovës mu për këtë arsye ka ndërmarrë masa shtesë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimin të tyre.

Përkundër hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për Kundërvajtje në Trafik i cili është shumë më i ashpër se i mëparshmi në raport me shkelësit e tij, aksidentet nuk janë ndalur.

Javën e fundit po ashtu është themeluar edhe Task Forca e cila ka për synim ka përfshirjen, koordinimin dhe bashkërendimin e njësiteve të ndryshme në terren, në pika kontrolli si dhe aplikimin e metodave të ndryshme të avancuara nga njësitet policore, për arritjen e parandalimit të aksidenteve në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale.

Është potencuar po ashtu se për të arritur dinamikën e ndikimit tek shoferët pjesmarrës në trafik do të aplikohet “ZERO tolerancë ndaj të gjithë kundërvajtësve”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxhaj tha për Gazetën Observer se Policia e Kosovës me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafikun rrugor, ngritjes së vëmendjes për një kujdes më të shtuar për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në vazhdimësi ndërmerr veprime aktive duke përfshirë edhe plane të veçanta operacionale policore, si dhe organizon fushata vetëdijësuese të cilat kontribuojnë në senzibilizimin dhe ngritjen e nivelit të sigurisë rrugore.

Sipas Hoxhës, Policia e Kosovës shqipton mesatarisht mbi 1000 tiketa në ditë (brenda 24 orëve) për kundërvajtje të ndryshme gjatë shkeljeve të rregullave në trafik nga kundërvajtës të ndryshëm.Zëdhënësi i Policisë bëri të ditur se Ligji i ri dhe “Task Forca” po ndikon pozitivisht në uljen e numrit të aksidenteve me fatalitet. Në krahasim me vitin e kaluar , gjashtë mujori I pare I këtij viti rezulton me 16% më pak raste të këtyre aksidenteve.

Më poshtë shihni tabelën me statistikat e aksidenteve në periudhën kohore Janar-15.07. 2017/2018

Në anën tjetër zëdhënësi Hoxha për Gazetën Observer, theksoi se njësitet e policisë do të vazhdojnë të kenë prezencë të shtuar për të monitoruar situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit, operacion ky që do të vazhdoj deri sa të vlerësohet se ka arritur efektin e dëshiruar.

Ndërkaq, përveç shpejtësisë së lartë, moskordinimit të shpejtësisë me gjendjen e rrugëve, gjendjes teknike të automobilëve, ndër shkaqet kryesore të aksidenteve të trafikut vazhdon të konsiderohet edhe përdorimi i telefonit gjatë vozitjes.

Ishte kjo pikërisht arsyeja e cila e shtyri OJQ-në “EC Ma Ndryshe” të organizojë një kampanjë vetëdijësuese kundër përdorimit të telefonave gjatë vozitjes.Ky aktivitet është organizuar në bashkëpunim me KVRL- Gjakovë dhe qytetarët e Gjakovës, me ç’rast është bërë shpërndarja e fletushkave që përmbajnë mesazhe sensibilizuese dhe statistika të aksidenteve që kanë ndodhur që nga viti 2017 në rajonin e Gjakovës dhe në tërë Kosovën.