Gazetari kosovar, Shkumbin Kajtazi,ka njoftuar se mbrëmë vetura e tij ishte qëlluar me pesë ose gjashtë të shtëna nga arma e zjarrit, derisa ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës, njofton Insajderi.
Kështu ka deklaruar ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebok, ku tha se ishte afër vendit të ngjarjes dhe se ka dëgjuar krism arme, por që nuke ka paramenduar një sulm të tillë.
“Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme”, ka shkruar ai.
Kajtazi tutje tha se rastin e ka deklaruar në polici dhe se nuk ka asnjë problem personal me dikë, mirëpo kërkon nga organet kompetente që të zbardhin sa më shpejt rastin.
“Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme. Rasti është në Polici dhe shpejt do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda. Zbardhja e tij duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi”.
“Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij”, ka shkruar Kajtazi.
Kajtazi edhe para katër muajve pati deklaruar se dikush kishte tentuar t’ia djegë veturën. /Insajderi.com