Disa orë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa është akuzuar për krim të organizuar të lidhur me korrupsionin, ka reaguar Mustafa, I cili ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si anëtar I bordit në zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Në një njoftim për mediet, Mustafa ka thënë se pavarësisht “nevojës së skajshme për financa në familje, do të ofroj dorëheqjen time si anëtar bordi në ZRRE”.
“Pavarësisht nevojës se skajshme për financa ne familje, punëdhënësit tim, Kuvendit të Kosovës, qysh sonte publikisht, e të hënën e ardhshme edhe zyrtarisht e me shkrim, ia ofroj dorëheqjen time. Nuk jam unë njeriu qe rrin ne një bord te një agjensioni te rëndësishëm e të pavarur dhe merr vendime të rëndësishme nën akuzën për kurdisje tenderësh e për hajni”, ka thënë Mustafa, raporton Insajderi.
Mustafa në reagimin e tij sigurohet që të tregojë gjendjen e tij financiare, e cila sipas ish-liderit të Gjilanit është në kushte të këqija. Me këto fjalë ai i “kundërvihet” Prokurorisë Speciale për aktakuzën që ka ngritur.
“Bashkëshortja ime dhe dy djemtë tanë sot kanë kalue çaste tepër zhgënjyese sepse vetëm sot ata e kanë kuptue thellë se ku jetojmë dhe nën meshirën e kujt jemi. Ata, si asnjë prej ju, miq të nderuar, e dijnë dhe e njohin gjendjen e keqe financiare deri në absurditet ne familjen tonë, të shkaktuar pikërisht nga vitet e qeverisjes me komunen dhe me partinë”, ka thënë Mustafa.
Mustafa akuzohet se së bashku me zyrtarët komunalë dhe biznesmenë, ka koordinuar me veprimtarinë e kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit.
Sipas Prokurorisë, një gjë e tillë është kryer gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht pronarët e bizneseve që kanë fituar tendërë në komunë.
Prokuroria pretendon se ka prova të mjaftueshme se Qemajl Mustafa ka pasur njohuri për të gjitha aktivitetet e prokurimit, dhe se kjo dëshmohet edhe përmes bisedave telefonike që ka pasur ai me menaxheren e prokurimit por edhe pronarët e bizneseve.
Prokuroria: Qemajl Mustafa ka ndërhyre direkt në kurdisjen e tenderëve