Kuvendi Komunal i Ulqinit, pas një pune maratone dy ditëshe ku para këshilltarëve janë hedhur 19 pika të rendit të ditës, të martën në orët e pasdites ka përfunduar punimet seanca duke miratuar disa propozime.
Një pikë që zgjoi interesim të veçantë në Kuvend ishte Propozimi për vendosjen e bustit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut tek rrethrrotullimi në qendër të Ulqinit, propozim i cili u miratua, raporton Koha.net.
Kujtojmë se bulevardi në Ulqin, ku gjendet rrethrrotullimi ku do të vendoset statuja e Skënderbeut, mban edhe emrin e tij.
Kryetari i Kuvendit Komunal, Ilir Çapuni, e vlerësoi pozitivisht punën e Kuvendit duke cekur se shumë lëndë të cilat i ka mbuluar pluhuri janë nxjerrë nga sirtarët dhe janë votuar në Kuvend.