Iniciativa e Qeverisë së Kosovës për pastrimin e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përkrahet edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e te drejtave të veteranëve të UÇK-së.
Kryetari i Këshillit, Xhevdet Qeriqi në një përgjigje për gazetën Shqip.com deklaron se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte vetëm 20 mijë luftëtarë dhe se numri i pretenduar për 60 mijë anëtarë është i pavërtetë.
Qeriqi ka deklaruar në takimin që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti i është kumtuar se do të themelohet një komision i cili do të merret me pastrimin e këtyre listave.
Deklaron se për përbërjen e komisionit dhe kompetencat do të vendos Qeveria.
Thotë se ata përkrahin idenë për pastrimin e listave.
“Kemi pasur një takim me kryeministrin ku kam kërkuar ngritjen e pensioneve për veteranët dhe kemi diskutuar edhe për hallet e tjera të cilat lidhen me këtë kategori. Kryeministri Kurti ka hapur edhe temën e pastrimit të listave dhe ka propozuar krijimin e një komisioni. Ne jemi pajtuar me këtë. Sepse numri i veteranëve është i fryrë. Sepse në bazë të takimeve që kam pasur me anëtarët e shtabit të përgjithshëm ata më kanë thënë se maksimumi mundet me qenë 20 mijë luftëtar”, ka thënë ai.
Ai thotë se veteranët janë pro pastrimit të listave.
Thotë se procesi i pastrimit të listave nuk është i vështirë.
“Secili veteran i vërtetë është pro pastrimit të listave. Mendoj që nuk është proces i vështirë pastrimi i listave sepse janë arkivat e veteranëve pastaj janë arkivat e familjes së dëshmorëve dhe invalidëve dhe nëse i përdorin ato nuk besoj ka me pas problem”. ka shtuar ai.
Ndryshe procesi i verifikimit të veteranëve të luftës në Kosovë ka shkaktuar debat të madh në shoqërinë kosovare pasi numri i tyre është manipuluar dhe se një numër i madh i tyre kanë përfituar statusin e veteranit pa meritë. Tani Qeveria është duke tentuar që të korrigjojë gabimet të cilat kanë ndodhur në këtë proces. /Insajderi.com