Qeveri e re apo zgjedhje – zgjidhja në Gjykatën Kushtetuese

Qeveri e re apo zgjedhje – zgjidhja në Gjykatën Kushtetuese

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Kushtrim Palushi, parasheh që çështja e emrit të mandatarit për kryeministër të marrë epilog përfundimtar në Gjykatën Kushtetuese.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka shkruar sot për herë të tretë një letër kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke ia kërkuar emrin e mandatarit. Presidenti i ka dhënë ultimatum Kurtit që brenda “një periudhe të arsyeshme kohore” të propozojë kandidatin për kryeministër.

Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në opsionin e parë: shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas Kushtrim Palushit, njohësit të çështjeve kushtetuese, nëse presidenti Thaçi nuk i interpreton si “refuzim” dy letrat e para të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, atëherë ai mund të krijojë rast që çështja të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Në një bisedë telefonike me Insajderin, Palushi ka deklaruar se Kushtetuta e Kosovës nuk përcakton asnjë afat kohor për dërgimin e emrit të mandatarit për kryeministër.

“Duket se sigurisht kjo zbrazësi juridike kushtetuese po shfrytëzohet nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për të prolonguar dërgimin e emrit të mandatarit në njërën anë; por edhe ndoshta për të shtyrë presidentin që ai të veprojë në mënyrë të njëanshme, në mënyrë që pastaj të krijojë rast që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se presidenti do të shkelte atë”, ka thënë Palushi.

Palushi thotë se presidenti Thaçi ka dy opsione: të presë përgjigjen e Lëvizjes Vetëvendosje apo të veprojë pa pranuar refuzimin e Lëvizjes Vetëvendosje për emrin e mandatarit.

Sipas tij, cilido veprim i presidentit në këto dy raste do të krijonte hapësirë për Lëvizjen Vetëvendosje që ta dërgonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Sidoqoftë, veprimi i tij [presidentit]; qoftë duke mos interpretuar përgjigjen e Lëvizjes Vetëvendosje si refuzim ose qoftë duke ia kaluar të drejtën e mandatimit një partie tjetër politike, ai do të krijojë rast që kjo çështje sërish të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese për një interpretim përfundimtar mbi atë se cila palë ka të drejtë”, ka thënë Palushi për Insajderin.

“Siç duket në këtë fazë, cilado palë që të veprojë ne do të kemi një rast në Gjykatën Kushtetuese sa i përket dispozitës së nenit 95.5 të Kushtetutës, sa i përket çështjes së afatit dhe sa i përket kompetencave të presidentit për mandatimin e kandidatit për kryeministër pas lirimit të postit”.

Palushi ka thënë se paraprakisht asnjëra palë nuk mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese se si duhet të veprohet më tutje.

“Mirëpo, duhet të ndodh një veprim – qoftë presidenti t’ia kalojë mandatin një partie tjetër, apo qoftë Lëvizja Vetëvendosje ta refuzojë ftesën e presidentit”, ka nënvizuar juristi Palushi.

Në letrën e tretë që presidenti Thaçi i ka dërguar sot kryeministrit Kurti, i ka kërkuar atij emrin e mandatarit për kryeministër.

Veçse në kërkesën e tretë, i pari i vendit, është treguar i prerë.

“Në një periudhë të arsyeshme kohore, në përputhje me urgjencën për t’i dhënë vendit Qeveri të re me legjitimitet nga Kuvendi, të propozoni kandidatin për kryeministër për të formuar Qeverinë”.

“Askush nuk ka të drejtë t’i privojë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit në Kuvendin e Kosovës për të pasur kandidatin/en për Kryeministër dhe për të ushtruar kompetencën e tij/saj për të zgjedhur Qeverinë siç përcaktohet në nenin 65 (8) të Kushtetutës”, shkruan Thaçi, transmeton Insajderi.

Thaçi për krejt këtë proces i ka njoftuar edhe ambasadorët e Kuintit.

“Me ambasadorët diskutova për zhvillimet politike dhe për kërkesat që ia kam drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekt politik fitues në zgjedhjet e vitit të kaluar, për ta propozuar kandidatin e ri për Kryeministër të Kosovës, pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti”, ka shkruar Thaçi pas takimit që ka pasur sot me ambasadorët e Kuintit.

Po të prerë në qëndrimin e tyre janë treguar edhe Lëvizja Vetëvendosje – kërkojnë zgjedhje.

Pikërisht për këtë arsye, të njëjtit nuk janë duke e dërguar emrin e mandatarit të Presidenti.

Arbërie Nagavci i ka thënë sot Insajderit se presidentiti do t’i përgjigjen tek pas përfundimit të pandemisë në vend. /Insajderi.com