“Qeveria aktuale po gabon që po i vazhdon politikat e Haradinajt”

“Qeveria aktuale po gabon që po i vazhdon politikat e Haradinajt”

Analisti politik, Agron Demi, ka thënë se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti është duke gabuar, pasi sipas tij, po i vazhdon politikat e ish-kryeministrit, njëherësh lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njofton Insajderi.

Reagimi i Demit ka ardhur pas thirrjeve të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për protesta ndaj Qeverisë Kurti për shkak të marrëveshjes për “tiketë digjitale” në vlerë 4 euro e 90 cent kur të regjistrohen veturat dhe deklarimet e Qeverisë aktuale se kjo marrëveshje ishte bërë në kohën e Qeverisë Haradinaj.

“Ramushi po thërret protesta për rrëzimin e qeverisë për shkak të kostove prej 5 euro shtesë për tiketat ngjitëse kur regjistrohen automjetet, tender i cili është hapur më 2018 kur Pal Lekaj ka qenë ministër e Ramushi kryeministër 🤦. Gabimi i qeverisë aktuale është që po i vazhdojnë politikat e Ramushit e Palit, e jo se po veprojnë ndryshe”, ka shkruar ai në Facebook.

Taksa për regjistrimin e veturave e vendosur nga Qeveria Kurti ka ngjallur reagime të shumta ditëve të fundit. Madje, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka kërkuar qytetarëve të protestojnë, ndërsa i ka quajtur mjeshtër të mashtrimeve me tenderë ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësin e tij, Hysen Durmishi.

Ky i fundit, të enjten përmes një sqarimi publik tha se kjo marrëveshje si proces ka filluar në vitin 2018, në kohën kur Haradinaj udhëhiqte me qeverinë, ndërsa Ministria e Infrastrukturës nga Pal Lekaj. Durmishi po ashtu deklaroi se është detyruar ta nënshkruaj këtë marrëveshje më 8 qershor 2021, pasi “në të kundërtën do të kemi dëme financiare si shtet”./Insajderi.com