Qeveria cakton kundërshtarët e Demarkacionit në komisionin e ri

Një ndër çështje që ka çuar në rrëzimin e ‘Qeverisë Mustafa’ ka qenë edhe Marrëveshja për Demarkacionin Kosovë-Mali i Zi. Komisionin shtetëror për caktimin e vijës kufitare i vendosur nga asokohe kryeministri Isa Mustafa, erdhi në një përfundim që kundërshtohej ashpër nga opozita – madje me protesta e gaz lotsjellës në Kuvend. Kryeministri Haradinaj në ditën e parë të punës e shkarkoi Komisionin për Demarkacioni. Tash ka themeluar Komision të ri, ku qëndrimet e anëtarëve të tij dihen publikisht.

Qeveria cakton kundërshtarët e Demarkacionit në komisionin e ri

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, gjatë kohës sa ishte kandidat për këtë post, ndër çështjet kryesore kishte premtuar edhe kthimin e marrëveshjes së Demarkacionit Kosovë-Mali i Zi.

Vetë Haradinaj sa ishte në opozitë e kundërshtoi ashpër këtë marrëveshje.

Në ditën e parë të pozitës si kryeministër, në mbledhjen e Qeverisë, e shkarkoi Komisionin shtetëror i kryesuar nga Murat Meha të cilin e kishte emëruar ish-kryeministri Mustafa.

Haradinaj kërkoi që të themelohet një komisioni, duke e ngarkuar Shpejtim Bulliqin për propozimin e anëtarëve të komisionit të ri për Demarkacionin.

Nuk kaloi shumë kohë dhe kryeministri Haradinaj e vendosi komisionin e propozuar nga profesori Shpejtim Bullliqi, i cili do ta kryesojë atë.

Gjithashtu u caktuan edhe anëtarët tjerë që do ta përbejnë atë, siç janë Zejnullah Gruda (anëtar nga Universiteti i Prishtinës), Martin Berishaj (anëtar nga Universiteti i Lubjanës), Hamit Basholli (anëtar-gjeodet) dhe Florim Isufi (anëtar, UP).

Po ashtu, në këtë komision do të jetë një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Brendshme, një përfaqësues i Ministria e Punëve të Jashtme një përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës.

Në përbërje të komisionit për Demarkacionin do të jetë edhe një përfaqësues nga komuniteti (Riza Smaka) pa të drejt votë dhe Zymer Neziri po ashtu pa të drejtë vote.

Dihen qëndrimet e anëtarëve të Komisionit të ri

Emrat e pesë profesorëve të cilët llogariten si profesional dhe të fushës, dihet qëndrimi i tyre rreth marrëveshjes aktualet për Demarkacionin.

Shpejtim Bulliqi, profesor i gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, e ka kundërshtuar këtë marrëveshje, duke dalë kështu edhe kundër qëndrimit të partisë së tij, LDK, e cila kërkonte që kjo marrëveshje gjithsesi të votohet, raporton Insajderi.

“Praktikisht zgjidha më e mirë do të ishte rinegocimi i marrëveshjes, për faktin se ne nuk kemi diçka kontestuese nga ana e Malit të Zi, e cila edhe më herët është deklaruar se janë të gatshëm ta rishikojnë punën e Demarkacionit”, kishte thënë Bulliqi.

Bulliqi vazhdimisht kishte dhënë, sipas tij, argumente që tregojnë se me këtë marrëveshje Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë bujqësore.

Profesori Bulliqi do ta kryesojë komisionin e ri të emëruar nga Qeveria.

Anëtari tjetër i këtij komisioni do të jetë profesori Zejnullah Gruda. Marrëveshjen aktuale edhe Gruda e kishte kundërshtuar.

Gruda kishte thënë se, bazuar në njohuritë që ka, Mali i Zi aktualisht ka hyrë 6 kilometra në territor të Kosovës.

Ai kishte thënë se vija kufitare me Malin e Zi është në Qakorr, duke thënë se e kishte vizituar edhe pikën kufitare atje dhe kishte parë se ajo kishte lëvizur.

Profesori Gruda po ashtu kishte thënë se shënimi i vijës kufitare nuk është çështje e pronës private, por e shtrirjes së sovranitetit të shtetit.

Florim Isufi është anëtari tjetër i këtij komisioni. Edhe ai është profesor i gjeografisë në Universitetin e Prishtinës. Isufi është koleg në Bulliqin në departamentin e Gjeografisë në UP.

Qëndrimi i tij kategorik ka qenë se vija kufitare e vendosur nga komisioni shtetëror është gabim, duke thënë se nuk është bërë majta siç duhet.

Isufi tregonte se të gjeturat e tyre përputhen më të dhënat që kishte publikuar edhe qeveria e Malit të Zi.

“Nga rezultatet tona del se territori i Republikës së Kosovës ndryshon, apo siç themi ne, tkurret diku për nga 8 e 229 hektarë, ose  dikur rreth 82.3 km katrorë”, kishte thënë profesori Isufi.

Ai kishte thënë se ka dallim mes asaj se çfarë thotë shkenca dhe politika. Sipas tij, puna e tij bazohet në fakte, raporton Insajderi.

Martin Berishaj, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Lubjanës do të jetë anëtari tjetër i komisionit për Demarkacionin.

Në kohën kur diskutohej për temën e Demarkacionit, Berishaj vlerësonte se demarkacioni me Malin e Zi duhet të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar.

Ai kishte thënë se versioni aktual i demarkacionit me Malin e Zi nga koncepti i procesit të vijëzimit të kufirit është i papranueshëm për disa aspekte.

Sipas tij, në këtë proces janë kapërcyer nivelet e vijëzimit të kufirit dhe nuk është përfillur procedura për caktimin e tyre.

“Në këtë shpërfillje nga ana e komisionit kosovar janë përdorur elemente që nuk përbëjnë ‘titullusin’ juridik, siç është çështja e hartave dhe e komunave kadastrale për përcaktimin e kufirit ndërkombëtar”, kishte thënë Berishaj.

Komisioni shtetëror do ta ketë edhe një anëtar tjetër, Hamit Bashollin, i cili me profesion është gjeodet. Ai ka qenë drejtor i Kadastrës së Kosovës.

Ai kishte thënë se Komisioni nuk kishte njohuri të mjaftueshme për konstatimin që ka dhënë, duke shtuar se nuk janë marrë në shqyrtim hartat kadastrale, por vetëm ato topografike.

“Ne kemi paraqitur pranë tyre metoda të tjera të matjes së territorit, të cilat ata s’i kanë ditur. Komisioni nuk i ka shfrytëzuar hartat kadastrale por vetëm hartat topografike. Kufiri i hartave topografike dallon nga kufiri i mbuluar kadastral”, kishte thënë ai.

Nëse merren për bazë qëndrimet këtyre anëtarëve të Komisionit të ri shtetëror për Demarkacionin, atëherë del se qëndrimi i tyre veç dihet./Insajderi.com