“Qeveria e ardhshme ta ketë prioritet marrëveshjen e Uashingtonit”

“Qeveria e ardhshme ta ketë prioritet marrëveshjen e Uashingtonit”

Qeveria e ardhshme ta ketë prioritet marrëveshjen ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar në Uashington më 4 shtator. Kështu ka deklaruar kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi.

Ai ka potencuar se qeveria në ardhje duhet të jetë më konstruktive në kërkesat ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jo vetëm të presë detyra nga të tjerët.

“Qeveria e ardhshme veprimet do t’i bëjë ndoshta edhe shumë më të mira se sa herën e kaluar sepse ndoshta e ka marrë një përvojë më të mirë, e posaçërisht do të apeloja te qeveria në ardhje që kërkesat karshi ShBA-së të jenë deçisive”, ka thënë Rexhepi.

Sipas tij, nuk pritet ndryshim i madh në qasjen e ShBA-së karshi Kosovës dhe dialogut me Serbinë.

“Politika amerikane karshi Kosovës asnjëherë nuk ka ndryshuar pavarësisht kush ka qenë president apo kush do të jetë, mund të ketë lëvizje të caktuar mirëpo qenësoret janë ato politikat nacionale që e krijojnë ShBA-ja për 50 vjeçarin e ardhshëm. Qeveria e ardhshme do të jetë shumë konstruktive dhe do të dijë si t’i vlerësojë veprimet me deklarata por edhe me veprime konkrete”, ka pohuar ai për EO.

Rexhepi ka thënë se presidenti Joe Biden dhe administrata e tij do të bëjnë shumë punë në arritjen e njohjes së ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Dëshira jonë është që ky problem të përfundon sa më shpejtë mirëpo një element tjetër është që duhet ta kemi parasysh që nuk janë vetëm interesa të SHBA-së këto. Besoj fuqishëm që presidenti Biden do ta shtyjë shumë këtë proces përpara mirëpo për aq sa lejojnë edhe momentet politike”, u shpreh ndër të tjera ai./Insajderi.com