
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës, ka miratuar koncept-dokumentin për Vettingun në sistemin e drejtësisë, përcjell Insajderi.com.
Përmes një postimi në Facebook, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se me këtë koncept-dokument, “Krimi dhe kontrabanda në Kosovë po goditet fuqishëm”.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës ku u miratua koncept-dokumenti për Vettingun.
Tutje, ai tha se edhe ligji për konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme do të dërgohet shpejt për miratim në Qeveri.
“Sot, në mbledhjen e qeverisë kaloi Koncept-Dokumenti për Vettingun në sistemin e drejtësisë. Krimi dhe kontrabanda në Kosovë po goditet fuqishëm si asnjëherë më parë. Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme dërgohet shumë shpejt për miratim në qeveri”, shkroi ndër tjerash ai në Facebook.
Ndërkaq, në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “gjyqësori duhet të jetë i pavarur”.