Qeveria e Kosovës i përgjigjet Moghernit për procesin e dialogut me Serbinë

Qeveria e Kosovës i përgjigjet Moghernit për procesin e dialogut me Serbinë

Qeveria e Kosovës i është përgjigjur letrës së Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherinit pasi kjo e fundit ka thënë se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do ta udhëheq fazën finale të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka thënë se ne jemi të përkushtuar për dialog dhe se qeveria është angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj për një dialog konstruktiv

“Qeveria e Kosovës në baza të rregullta komunikon me Bashkimin Evropian. Ne jemi të përkushtuar për dialog. Bazuar në kompetencat që ka, Qeveria është angazhuar me të gjitha kapacitetet e saja për një dialog konstruktiv dhe në të njëjtën kohë respekton dhe mbështet Presidentin në këtë proces, bazuar në kompetencat e tij Kushtetuese”, ka thënë Gashi.

Bashkimi Evropian sot përmes një letre dërguar Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, ia bën të qartë Qeverisë së Kosovës se në çfarë niveli ka filluar dhe duhet të vazhdojë dialogu Kosovë – Serbi.

Përfaqësuesit e BE-së në këtë letër shkruajnë se rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës është një zhvillim i rëndësishëm dhe do të kontribuojë për ta forcuar peshën e autoriteteve të Kosovës dhe do të duhej të mundësonte lehtësimin, përshpejtimin e vazhdimit të procesit në mënyrë konstruktive, në kuadër të organizimit aktual të Dialogut të Nivelit të Lartë.

“Ne e mirëpresim atë dhe e konsiderojmë si një input në kuadër të qëndrimeve të Kosovës që do të shprehen nga presidenti i saj në dialogun aktual, që përbën për BE-në kornizën e vetme reale për adresimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në letrën e përfaqësuesve të lartë evropianë.

Kujtojmë se gjatë javës së kaluar deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë miratuar projekt – rezolutën të propozuar nga Partia Socialdemokrate se në procesin final të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, të përfshihen edhe një delegacion nga Qeveria e Kosovës.

Këtë delegacion e përbëjnë 11 burra në krye me Shpend Ahmetin duke pasuar nga Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Avni Arifi, Behgjet Pacolli, Mahir Jagcilar dhe Dardan Gashi, Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani. /Insajderi.com