Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka treguar se meqë UNMIK-u është ende në Kosovë, do t’i presin sa herë që ata kërkojnë të ketë takim, përcjell Insajderi.com.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, thonë se janë të mendimit se misioni i UNMIK-ut ëshë i panevojshëm që nga shpallja e pavarësisë, raporton REL.
“UNMIK-u është këtu sepse OKB-ja refuzon të pezullojë mandatin e tyre, ndonëse është një trup i OKB-së, i cili që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës është i panevojshëm dhe nuk ka asnjë kompetencë ekzekutive. Derisa ata janë këtu ne i presim kur kërkojnë takim”, thuhet në një përgjigje të Qeverisë së Kosovës.
Qeveria thotë se kryeministri, Albin Kurti, e ka bërë të qartë gjithmonë qëndrimin e tij karshi misionit të UNMIK-ut, e që sipas tyre, është dashur qysh moti të shuhej.
“Kryeministri e ka bërë gjithmonë të qartë qëndrimin e tij karshi UNMIK-ut qysh moti dhe si asnjë lider tjetër në Kosovën e pasluftës. Prezenca e veprimtaria e UNMIK-ut është e panevojshme. Pas shpalljes së pavarësisë dhe konfirmimit të ligjshmërisë së saj nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, trup ky i Kombeve të Bashkuara, mandati i misionit të UNMIK-ut tashmë është trefish i tejkaluar”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së.
Kurse, në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 15 tetor, shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, është kritikuar se “akuzoi institucionet e Kosovës për shkaktimin e tensioneve në komunat veriore të vendit”.
Ndërkaq, Tanin, në mbledhjen e KS të OKB-së kishte thënë se Kosova ka marrë vendimin “kokë më vete” për vendosjen e masës së reciprocitetit, veprim i cili shkaktoi tensione dyjavore në komunat e banuara me shumicë serbe.
Më 30 shtator në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për targat, sipas së cilës simbolet shtetërore në targa do të mbuloheshin me letra ngjitëse.
Misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK, u vendos në Kosovë për herë të parë në qershor të vitit 1999.
Ky mision kishte për qëllim që të shërbente si prezencë ndërkombëtare civile dhe ushtarake pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
OKB-ja e kishte sjellë këtë mision që të ndihmonte në rindërtimin e institucioneve të Kosovës, pasi gjatë luftës sistemi gjyqësor në Kosovë ishte “rrënuar” dhe kishte “nevojë urgjente për të ndërtuar sundim të vërtetë të ligjit, duke përfshirë edhe përmes rindërtimit të menjëhershëm të një gjyqësori të pavarur, të paanshëm dhe shumetnik”./Insajderi.com