Qeveria e Maqedonisë së Veriut nesër vendos nëse do të lejohen dasmat

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nesër vendos nëse do të lejohen dasmat

Në Maqedoninë e Veriut edhe më tej mbetet e pasigurt nëse do të lejohen ose jo të mbahen dasmat dhe ahengjet e tjera nëpër restaurante dhe në ambiente të mbyllura.

Qeveria e shtetit fqinj nesër do të vendos për masat mbrojtëse dhe restriktive, por nuk dihet nëse në rend dite do të jetë edhe kërkesa e gastronomëve, të cilët për javë të tëra kanë protestuar edhe para Qeverisë, shkruan Insajderi.

Nga Oda e Pavarur Hotelerike në RMV-së kërkojnë që të mos kufizohet orari i punës së tyre, të lejohet muzikë e gjallë, më tepër persona në tavolinë, por edhe organizimi i festave më të mëdha sipas protokolleve të caktuara.

Ministri i Ekonomisë në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, ka paralajmëruar mundësinë për lehtësimin e punës së gastronomëve kah fundi i muajit maj, por një vendim i tillë për këtë sektor ende mbetet pezull.

Nga ana tjetër edhe përkundër uljes së numrit të të infektuarve me Coronavirus, nuk do të ketë lehtësim të masave restriktive. Autoritetet shëndetësore në vendin fqinj apelojnë që të respektohen masat ekzistuese, ndërsa për kërkesat e pronarëve të objekteve hotelerike ende nuk ka vendim zyrtar.

Bëhet e ditur se Komisioni për sëmundje ngjitëse në Maqedoninë e Veriut, në mbledhjen e mbajtur mëngjesin e sotëm, ka sjellë vendim që të mbeten në fuqi masat aktuale restriktive. Ora policore edhe më tej do të fillojë nga mesnata dhe do të zgjasë deri në ora 04:00 të mëngjesit, ndërsa lokalet do të mund të punojnë deri në ora 23:00.

Vendimi për lehtësimin e masave u soll të hënën e kaluar në bazë të pasqyrës epidemiologjike që konstatoi ulje të numrit të rasteve të reja dhe lehtësim të kapaciteteve spitalore. Por edhe përkundër numrit gjithnjë e më shumë në rënie të rasteve pozitive, autoritetet vlerësojnë se masat duhet të respektohen, ndërsa në mesin e tyre mbetet edhe mbajtja e maskave në ambient të hapur. /Insajderi.com