Qeveria e Shqipërisë me plan kundër kultivimit të kanabisit

Qeveria e Shqipërisë me plan kundër kultivimit të kanabisit

Qeveria ka hartuar planin për parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike, detaje të këtij plani i bëri të ditura zëvendës kryeministri, Niko Peleshi.

“Theksi kryesor i Planit Kombëtar kundër Kanabisit është përpjekja e përbashkët ndërinstitucionale për goditjen e gjithanshme, frontale që ka për qëllim identifikimin, zbulimin dhe shkatërrimin e grupeve dhe rrjeteve kriminale që janë aktive në fushën e kultivimit dhe të trafikimit të kanabisit”, tha Peleshi.

Sipas planit, duke filluar nga ky vit Policia e Shtetit, organet ligjzbatuese dhe të gjitha institucionet e tjera që kanë lidhje do të angazhohen në një operacion të gjerë dhe të kombinuar, që do të sigurojë identifikimin e hershëm dhe goditjen që në gjenezë të përpjekjeve për kultivim apo trafikim.

Në shërbim të këtij operacioni, në përbërje të Task Forcës Qendrore dhe Task Forcave Lokale, do të jenë kapacitetet e Policisë së Shtetit, të shërbimeve inteligjente, të ushtrisë, të bujqësisë, të mjedisit, të shëndetësisë, ato të pushtetit vendor, partnerët ndërkombëtarë etj, shkruan Tch.

“Plani parashikon masa serioze ndaj të gjithë zyrtarëve të nivelit qendror dhe lokal, të cilët nuk arrijnë të mbajnë në administrim e kontroll efektiv territorin për të cilin janë përgjegjës. Po ashtu, një proces vlerësimi dhe vetingu ndaj zyrtarëve me përgjegjësi në këtë fushë do të shoqërojë procesin e zbatimit të planit. Identifikimi dhe sekuestrimi i aseteve të krijuara nga veprimtaritë kriminale është një kriter i rëndësishëm për të matur shkallën e suksesit në përballjen me fenomenin e kanabisit”, shtoi zv.Kryeministri.

Përveç theksit goditës kundër grupeve, rrjeteve dhe financave kriminale që nxisin dhe organizojnë kultivimin dhe trafikimin, Plani i kushton një rëndësi të veçantë masave që kontribuojnë në shkurajimin e qytetarëve për t’u përfshirë në veprimtari të paligjshme në këtë fushë.

“Një paketë shumë e gjerë masash që synojnë ndërgjegjësimin publik, nxitjen dhe mbështetjen e veprimtarisë ekonomike të ligjshme në zonat dhe komunitetet e prekura, lehtësimin e barrës fiskale dhe mbështetjen sociale për individët dhe komunitetet nën risk është përcaktuar në Planin Kombëtar kundër Kanabisit”, shpjegoi Peleshi.