Qeveria e Shqipërisë shpallë ”Person Non Grata” diplomatin rus

Qeveria e Shqipërisë shpallë ”Person Non Grata” diplomatin rus

Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim që të shpallë “Person NON Grata”, diplomatin rus, Alexey Krivosheev, me detyrimin që të largohet brenda 72 orësh nga momenti i dhënies së njoftimit zyrtar, transmeton Insajderi.

Siç bëhet e ditur nga qeveria, vendimi lidhet me faktin se diplomati në mënyrë të përsëritur nuk ka respektuar masat e marra nga autoritet për mbrojten e popullatës ndaj COVID-19.

“Që prej muajit prill 2020, por dhe në fillim të këtij viti, Qeveria Shqiptare ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme, mbi shkeljet e hapura të masava të marra nga ana e një diplomati të ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë”, thuhet në vendim, raporton TCh.

Vendimi i është bërë i ditur ambasadorit rus në Tiranë, Mihail Afanasiev, nga përfaqësues të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Urojmë që ky vendim i imponuar nga mosrespektimi i ligjeve dhe rregullave të shtetit shqiptar, në një kohë kaq sfiduese për të gjithë globin, do të mirëkuptohet plotësisht nga pala ruse, si një masë e dosmosdoshme për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë e të gjithë shtetasve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, qofshin këta shqiptarë ose jo. Sigurojmë palën ruse për ndjenjat tona miqësore dhe për gatishmërinë tonë, në vijim të punës së mirë të nisur, për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, përfundon reagimi për media i Ministrisë së Jashtme. /Insajderi.com